Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Deri tani janë raportuar 38 vatra, s’ka rrezik për zonat e banuara

schedule20:40 - 13 Gusht, 2026

schedule 20:40 - 13 Gusht, 2026

SHQIPËRI– Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 20:00 të 13 gushtit janë raportuar 38 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive.

Angazhimi më i madh vijon në Gurë-Lurë të Dibrës, ku dhjetëra forca në terren mbështeten nga dy avionë Air Tractor, ndërsa është shmangur rreziku për banesat.

Në Tiranë, Krujë, Përmet, Mirditë, Shkodër dhe Elbasan vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa në disa zona situata është vendosur nën kontroll.



Në Finiq, zjarret në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa vatra në Dhrovjan është nën kontroll. Për përballimin e situatës janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, 22 mjete, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 20:00 të datës 13 gusht 2026, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri.

Aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll. Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë dhe i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, me angazhimin e MZSH, ADZM, vullnetarëve dhe mbështetje ajrore nga FA. Pavarësisht terrenit dhe përhapjes së mëparshme, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe e FA-së, e mbështetur nga 1 helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit në lagjen Abaze nën kontroll, ndërsa në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Angazhimi më i madh vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë përqendruar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Falë ndërhyrjes së koordinuar është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera. Në Qafën e Helmes operojnë gjithashtu MZSH, forca bashkiake dhe të njësisë administrative Selishtë.

Në Përmet, vijon puna në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në terren të vështirë, por pa rrezik për zonat e banuara.

Në Moravë, Devoll, ndërhyrja e MZSH ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll.

Në Trojë, Mirditë, operacionit i janë bashkuar edhe 30 efektivë të FA-së, krahas MZSH, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.

Në Shkodër vijon puna në Rrencë dhe Goraj-Budishtë, ku kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Kryezi është nën kontroll.

Në Elbasan vijojnë operacionet në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës; në Lugaxhi janë angazhuar MZSH, pyjorja, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, pa rrezik për zonat e banuara të mbështetur nga Forcat e Armatosura.

Ndërkohë, në Finiq, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll, duke reflektuar efektivitetin e ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!