Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të re lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll të plotë” mbi këtë pikë strategjike detare.
Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se bllokada detare e vendosur ndaj Iranit është e hekurt dhe e quajti atë “Muri i Çelikut”.
“SHBA-të kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. MENDOJ SE DO TA MBAJMË ATË!”, shkroi presidenti amerikan.
Trump vijoi me kritikat ndaj kapaciteteve ushtarake dhe ekonomike të Iranit, duke pretenduar se vendi nuk ka më marinë dhe forcë ajrore funksionale, ndërsa Garda Revolucionare është “shkatërruar”.
Ai gjithashtu akuzoi Teheranin se po përballet me një situatë të rëndë ekonomike, duke pretenduar se inflacioni në vend ka arritur në 300%.
“Irani tani është vetëm fjalë dhe asnjë veprim – nuk është më ngacmuesi i Lindjes së Mesme”, deklaroi Trump në përfundim të postimit.
/abcnews.al/


