Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Aksion për ndërtimet pa leje në Vlorë/ Bashkia dhe IMT nisin prishjen në zonën e ish-gjykatës së vjetër

schedule22:41 - 10 Gusht, 2026

schedule 22:41 - 10 Gusht, 2026

Bashkia e Vlorës ka nisur këtë të hënë aksionin për prishjen e ndërtimeve dhe shtesave pa leje në zonën e ish-Gjykatës së Vjetër. Ndërhyrja është zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë Bashkiake.

Gjatë aksionit janë prishur disa ndërtime pa leje, shtesa dhe kioska, të cilat shërbenin si ambiente shërbimi dhe njësi tregtare. Sipas autoriteteve, këto struktura kishin zënë hapësira publike dhe kishin ndryshuar pamjen e zonës.

Ndërhyrja synon lirimin e hapësirave të zëna nga ndërtimet pa leje dhe krijimin e kushteve për zbatimin e projektit të parashikuar për këtë zonë.



Zona e ish-Gjykatës së Vjetër përfshihet në një projekt që parashikon restaurimin dhe rikualifikimin e hapësirës, si dhe ndërtimin e një tregu të ri.

Sipas projektit, ndërhyrja synon t’i rikthejë zonës funksionalitetin dhe të nxjerrë në pah ndërtesat me vlera historike, të cilat prej vitesh ishin pjesërisht të mbuluara apo të rrethuara nga ndërtime të tjera.

Aksioni i strukturave të Bashkisë së Vlorës pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, deri në lirimin e plotë të hapësirës.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve, pritet të nisë zbatimi i projektit për restaurimin e zonës dhe ndërtimin e tregut të ri, një investim që synon ndryshimin e panoramës urbane në këtë pjesë të qytetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!