Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka zhvilluar në Beograd vizitën e tij të parë në Serbi që prej marrjes së detyrës në vitin 2019.
Në fokus të takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik, rruga evropiane e Ukrainës dhe çështjet e sigurisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Zelenskyy foli edhe për qëndrimin e dy vendeve ndaj pavarësisë së Kosovës.
“Qëndrimi ynë në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. U jemi mirënjohës partnerëve tanë që respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Edhe qëndrimi i Serbisë për këtë çështje mbetet i pandryshuar”, tha Zelensky.
Lufta në Ukrainë dhe nevoja për më shumë mbrojtje ajrore ishin gjithashtu pjesë e bisedimeve. Zelenskyy tha se Ukraina po kërkon nga SHBA-të më shumë raketa, pasi furnizimet aktuale nuk janë të mjaftueshme.
“Po i lutem SHBA-ve për më shumë raketa mbrojtëse ajrore. A do të na japin raketa çdo muaj? Po, kemi marrëveshje. Por a janë të mjaftueshme këto raketa? Patjetër që jo”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Vuçiç tha se dëshiron që lufta të përfundojë sa më shpejt, por paralajmëroi një dimër të vështirë për Ukrainën.
“Do të doja të shihja një fund të kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur. Por nëse më pyesni si veteran politik, do t’ju them se nuk jam i sigurt për këtë. Kam shumë frikë se na pret një dimër shumë i vështirë – veçanërisht për ukrainasit”, tha Vuçiç.
Pavarësisht lidhjeve të ngushta me Moskën, Vuçiç tha se Serbia do të mbështesë rrugën evropiane të Ukrainës.
“Ne duam që Ukraina të hapë dhe mbyllë të gjitha grupet e negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo është dëshira e popullit ukrainas dhe e udhëheqjes ukrainase. Serbia do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, shtoi më tej Vuçiç.
Vizita e Zelenskyt në Beograd është simbolike, pasi Serbia ka ruajtur tradicionalisht marrëdhënie të afërta me Rusinë. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Beogradi është përpjekur të mbajë një ekuilibër mes Moskës dhe Perëndimit, ndërsa mbështetet ende në masë të madhe te energjia ruse.


