Një tjetër skandal në Maqedoninë e Veriut nën hundën e shqiptarëve që bashkëqeverisin me Hristian Mickoskin. Në tabelën e mirëseardhjes në Tabanoc, pika kufitare me Serbinë, mungon shkrimi në gjuhën shqipe, edhe pse aty ka pasur vend për t’i thënë udhëtarëve “mirëseerdhët” në gjuhën maqedonase, anglisht dhe madje edhe frengjisht.
Ligji për gjuhët ekziston, por ai nuk po zbatohet.
Konkretisht për çështjen e tabelave shtetërore, neni 16, paragrafi 2, është krejtësisht i qartë: në vendkalimet kufitare dhe aeroportet që ndodhen në rajonet ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, emërtimet, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit vendosen edhe në atë gjuhë.
Reagimet kanë ardhur nga politika, gazetarët, aktivistët dhe shoqëria civile.
Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, tha se nuk dëshiron të polemizojë me zyrtarët e VLEN-it, por t’u drejtohet qytetarëve me pyetjen nëse ligjet vlejnë njësoj për të gjithë apo zbatohen vetëm kur i konvenojnë pushtetit, ndërsa Nënkryetari i BDI Bujar Osmani e quajti heqjen e shqipes nga tabela shtetërore diskriminim dhe provokim të qëllimshëm.
Kjo nuk është hera e parë që gjuha shqipe përjashtohet nga mbishkrimet e tabelave rrugore.
Debati ka rikthyer në vëmendje zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe pozitën e gjuhës shqipe në institucionet publike të Maqedonisë së Veriut.
VLEN ka interes të sjelli njerëzit e saj në protestat e Tiranës kundër qeverisë Rama, por jo të mbrojnë përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve, madje as me ndonjë reagim të shkurtër në rrjetet sociale./abcnews.al


