Një gjykatë në shtetin amerikan të New Mexico ka urdhëruar kompaninë “Meta”, pronare e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, të paguajë 567 milionë dollarë për të adresuar dëmet e shkaktuara ndaj fëmijëve nga përdorimi i platformave të saj.
Sipas vendimit, 420 milionë dollarë do të dedikohen për shërbime trajtimi dhe mbështetje për të rinjtë, ndërsa pjesa tjetër e fondit do të përdoret për programe ndërgjegjësimi, parandalimi, shqyrtimi dhe mbulimin e kostove të tjera gjatë pesë viteve të ardhshme.
Ky vendim vjen pas një tjetër dënimi të dhënë në muajin mars, kur një juri urdhëroi Metën të paguante 375 milionë dollarë dëmshpërblim, duke konstatuar se kompania kishte dëmtuar me vetëdije shëndetin mendor të fëmijëve. Në total, detyrimet financiare të Metës në këto procese gjyqësore arrijnë në 942 milionë dollarë.
Meta ka bërë të ditur se nuk pajtohet me të dyja vendimet dhe ka paralajmëruar se do t’i apelojë ato.
Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico-s, Raul Torrez, e cilësoi vendimin si një fitore të rëndësishme për prindërit dhe fëmijët, duke theksuar se ai dërgon një mesazh të fortë për përgjegjësinë e platformave digjitale në mbrojtjen e të miturve.
Ndërkohë, Meta vazhdon të përballet me mijëra padi të ngjashme nga familje që pretendojnë se rrjetet sociale kanë ndikuar negativisht në shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe adoleshentëve.


