Qendrat migratore në Gjadër dhe Shëngjin janë marrë si referencë nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e valës masive të emigrantëve që preku enklavën spanjolle Ceuta gjatë ditëve të fundit.
Këtë propozim Italia do ta parashtrojë në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së që pritet të mbahet ditën e martë, raportojnë mediat italiane. Kësaj radhe, këto qendra riatdhesimi nuk do t’i rëndojnë ekonomisë italiane, por plani parashikon që pjesa më e madhe e kostove të mbulohet nga Bashkimi Evropian.
Qendrat e riatdhesimit të ngritura në Shqipëri, janë pjesë e një marrëveshje të nënshkruar nga dy qeveritë me qëllim strehimin e emigrantëve të paligjshëm që do ta kapeshin në ujërat ndërkombëtare. Prej shumë kohësh këto qendra kanë qëndruar bosh, për shkak të problemeve që zbatimi i kësaj marrëveshje ka hasur pas disa bllokimeve nga gjykatat italiane.
Qeveria italiane është e bindur se ka shumicën mbështetëse për këtë ide. Si provë përmendet letra e firmosur dje nga 22 krerë shtetesh dhe qeverish të BE-së, e promovuar nga Meloni. Sipas kryeministres italiane, “pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje europiane”. Ndërsa letra e 22 vendeve është, sipas saj, “sinjali” se linja italiane po mbështetet nga një numër gjithnjë e më i madh shtetesh.
Ceuta u përball me një valë masive emigrantësh, ku flitet për rreth 50.000 emigrantë kryesisht nga Maroku, që arritën të kalonin kufijtë. Disa vende të Be u rreshtuan krah kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez ndërsa pati dhe nga ata që mbajtën qëndrim kritik për mënyrën e menaxhimit të situatës. I tillë ishte dhe qëndrimi i Francës dhe Italisë. Kjo e fundit kërkoi mbylljen e përkohshme të zonës Shengen për Spanjën duke e konsideruar këtë valë, si një kërcënim për sigurinë kombëtare.


