Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Kontrolle me radarë, shtohen gjobat/ Policia: Është shtuar monitorimi në rrugë me pajisje inteligjente

schedule12:48 - 1 Gusht, 2026

schedule 12:48 - 1 Gusht, 2026

Më shumë kontrolle në rrugë, më shumë gjoba, por edhe një ulje e rasteve penale në qarkullimin rrugor. Ky është bilanci i Policisë Rrugore për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Të dhënat që ABC News ka siguruar tregojnë se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, është regjistruar një rënie e veprave penale në qarkullimin rrugor. Nga 350 raste të evidentuara një vit më parë, këtë vit janë regjistruar 327, ose 23 raste më pak.

Pjesa më e madhe e tyre lidhet me drejtimin e automjetit në gjendje të dehur, drejtimin pa leje drejtimi, si edhe drejtimin e mjetit nën ndikimin e lëndëve psikotrope.



Sipas Policisë Rrugore, kjo rënie lidhet me shtimin e kontrolleve në terren, përdorimin e pajisjeve inteligjente për monitorimin e akseve rrugore dhe planin e masave të hartuar për rritjen e sigurisë.

Edhe rastet e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur kanë shënuar ulje. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 u evidentuan 221 raste, ndërsa këtë vit janë regjistruar 190, ose 31 raste më pak.

Ndërkohë, drejtimi i automjetit pa leje drejtimi mbetet një shqetësim. Janë konstatuar 129 raste, 7 më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Paralelisht me uljen e rasteve penale, Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm kontrollet dhe masat administrative.

Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë vendosur mbi 342 mijë masa administrative, rreth 67 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u vendosën mbi 275 mijë gjoba.

Sipas Shefit të Sigurisë Rrugore, rritja e numrit të gjobave nuk lidhet domosdoshmërisht me shtimin e shkeljeve, por me rritjen e kapaciteteve për t’i konstatuar ato përmes radarëve dhe pajisjeve inteligjente të vendosura në akset kryesore të vendit.

Ndërkohë, aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një sfidë për autoritetet.

Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 547 aksidente në të gjithë vendin.

Tabele- Sipas të dhënave:

Janar – 96 aksidente;

Shkurt – 97 aksidente;

Mars – 89 aksidente;

Prill – 132 aksidente;

Maj – 133 aksidente.

Muajt prill dhe maj rezultojnë me numrin më të lartë të aksidenteve, një periudhë që përkon edhe me rritjen e qarkullimit të mjeteve në rrugët e vendit.

Por cilat janë shkeljet që po shkaktojnë më shumë rrezik në qarkullim?

(Shkeljet më të shpeshta: tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosja e kaskës mbrojtëse etj.)

Bilanci i kontrolleve tregon gjithashtu se janë ndëshkuar mbi 1 mijë automjete me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin.

70 drejtues mjetesh kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit.

Po ashtu, janë tërhequr 432 leje drejtimi, 2 mijë e 536 drejtues janë ndëshkuar me zbritje pikësh, ndërsa 1 mijë e 213 automjete janë bllokuar ose sekuestruar.

Sipas Policisë Rrugore, këto masa synojnë jo vetëm ndëshkimin e shkelësve, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave të qarkullimit.

Nga analiza e aksidenteve rezulton se disa akse rrugore vijojnë të konsiderohen më problematiket në vend.

(Nga analiza që kemi bërë, akset Levan–Tepelenë, Shkodër–Lezhë, Levan–Fier, si edhe zonat bregdetare gjatë sezonit turistik, janë ndër segmentet ku regjistrohen më shumë aksidente. Për këtë arsye kemi shtuar praninë e Policisë Rrugore dhe përdorimin e mjeteve inteligjente për evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë.)

Mesazhi i Policisë Rrugore mbetet i qartë kontrollet do të vijojnë të shtohen, teknologjia do të përdoret gjithnjë e më shumë në monitorimin e rrugëve, ndërsa respektimi i rregullave të qarkullimit mbetet elementi kryesor për uljen e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve.

Tabela :

2026

327 raste penale në qarkullimin rrugor

190 raste drejtimi në gjendje të dehur

129 raste drejtimi pa leje drejtimi

342,000+ masa administrative

Aksidentet (5-mujori i parë 2026):

547 aksidente gjithsej

Janar: 96

Shkurt: 97

Mars: 89

Prill: 132

Maj: 133

Masa të tjera (2026):

1,000+ automjete me xhama të errësuar të ndëshkuara

70 drejtues humbën të gjitha pikët e lejes së drejtimit

432 leje drejtimi të tërhequra

2,536 drejtues të ndëshkuar me zbritje pikësh

1,213 automjete të bllokuara ose sekuestruara

2025

350 raste penale në qarkullimin rrugor

221 raste drejtimi në gjendje të dehur

122 raste drejtimi pa leje drejtimi

275,000+ masa administrative

Diferenca 2026 krahasuar me 2025

Raste penale: 23 më pak

Drejtim në gjendje të dehur: 31 raste më pak

Drejtim pa leje: 7 raste më shumë

Masa administrative: 67,000 më shumë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!