Koloneli Sami Neziri, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, analizoi zhvillimet e fundit në raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke theksuar se Teherani po përballet me sfida të mëdha ushtarake dhe politike.
Sipas Nezirit, Irani ka arritur t’u rezistojë sulmeve të zgjatura të SHBA-së dhe Izraelit, por vazhdon të ketë mangësi në aftësinë për të goditur me saktësi objektivat.
Ai theksoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Rusia i ka ofruar Iranit informacione të gatshme për objektiva në Lindjen e Mesme, duke shtuar se kjo çështje është përmendur edhe gjatë takimeve të Zelenskyt me presidentin amerikan Donald Trump.
Në analizën e tij, Neziri u ndal edhe te qëndrimi i Iranit ndaj negociatave me SHBA-në. Sipas tij, deklaratat e Teheranit se nuk është i gatshëm të negociojë janë pjesë e një strategjie të qëllimshme, pasi regjimi iranian e sheh pranimin e kushteve amerikane si një rrezik për legjitimitetin e tij të brendshëm.
“Irani i ka rezistuar sulmeve të zgjatura të SHBA dhe të Izraelit. Por Irani nuk ka kapacitete për të përcaktuar saktë objektivat. Dhe presidenti Zelensky e ka treguar vazhdimisht që Rusia i jep informacion të gatshëm rreth objektivave në gjithë Lindjen e Mesme. Këtë Zelensky e theksoi edhe në takimin me Trump. Por Irani nga ana tjetër deklaronte të kundërtën që nuk po negocion, pra është një politikë e ndjekur nga Irani, dhe mendoj që ka treguar që është i vështirë në negociata. Por Irani është një regjim që lufton për mbijetesë dhe nëse do shkojë në negociata dhe do pranojë kërkesat dhe kushtet e SHBA, i bie që regjimi në sytë e opinionit të brendshëm është i dështuar dhe kjo mendoj që e mban larg Iranin për negociatat. Dhe kjo gjë do vazhdojë për aq kohë sa Iranit t’i mbarojnë rezervat”, tha ai.
/abcnews.al/


