Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Rama: Si u takova me çiftin Kushner Trump/ Kryeministri për “Channel 4” tregon si nisi interesimi për Zvërnecin e Sazanin

schedule12:12 - 29 Korrik, 2026

schedule 12:12 - 29 Korrik, 2026

Për herë të parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për rrjetin britanik televiziv Channel 4, ka zbuluar se si u njoh me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në vitin 2020 dhe interesimin e tyre për investimin në Zvërnec dhe Sazan.

Rama e pranon se nuk ka dilema që i tha po menjëherë dhëndrit të Donald Trump, pasi Jared Kushner i kërkoi mundësitë për të investuar në Shqipëri.

“Unë isha i ftuar t’i bashkohesha disa njerëzve, në një jaht, që ndaloi në Shqipëri, për t’u mbushur me karburant, dhe që të shkonte në Mal të Zi. Isha i ftuar dhe shkova. U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund t’ju them me bindje se nuk ishin të interesuar për asgjë për Shqipërinë në termat e interesit direkt, ishin të interesuar për historinë, ku ishin. E para. E dyta, kur ndodhi, disa muaj më vonë në Davos, dhe Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo? Është gjëja më normale për mua”, tha kryeministri.



Rama tha se ende nuk ka një projekt për Zvërnecin apo Sazanin. Imazhet në internet ishin vetëm një reklamë e shkurtër, por procesi ka evoluar, ndërsa qeveria shqiptare po bën punën e saj duke vlerësuar ndikimin mjedisor.

“Kjo do të jetë një nga gjërat më fantastike për Europën për një kohë shumë të gjatë. Nuk i kanë ndodhur shumë gjëra fantastike Europës prej një kohe tashmë. Sepse do të jetë çfarë gabimisht njerëzit imagjinojnë. Jo çfarë imagjinoni ju. Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektët më të mirë, dizajnerë peizazhesh që janë të famshëm për ligatina. Në të njëjtën kohë, po bëjmë vlerësimin e ndikimit mjedisor, të pavarur nga ata. Kështu që, projekti nuk brutalizon një vend të bukur. Qëllimi është të rigjenerojë atë”, u shpreh Rama.

Edhe një herë, kryeministri garantoi se projekti do të jetë 100% në përputhje me direktivat e BE-së.

“Është mirë, shumë mirë që KE është i shqetësuar, s’mund të jetë ndryshe. Dhe ne po negociojmë që të bëhemi anëtarë të BE-së. Thjesht ideja që ne do të shkojmë në një drejtim me një projekt apo çdo projekt në drejtim tjetër që bie ndesh me direktivat e BE-së, është absurd. Nuk jam i lënduar nga komentet për projektin, çdo gjë është personale. Por s’jam personale. Për mua kjo protestë, e qershorit, jo tani, është konfirmimi se vendi është në një nivel tjetër, dhe një pasqyrë se çfarë duhet për të reflektuar”, shtoi kreu i qeverisë.

Sa për protestën, Rama foli sërish për reflektimin e qeverisë, ndërsa kujtoi se vetëm 15 vite më parë shqiptarët, kur protestonin paqësisht, vriteshin me plumba nga shteti.

“Është fantastike për vendin, për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard, jo shumë kohë më parë, 15 vite më parë, njerëzit vriteshin me plumba të vërtetë ndërkohë që protestonin paqësisht.

Kam reflektuar shumë për këtë protestë. Dhe unë dola në konkluzionin që njerëzit, nuk është çështje faktesh, është çështje e pritshmërive të larta që i nxjerr njerëzit në rrugë. Kjo është fantastike. Ndaj thashë fantastike. Kështu që unë i kuptoj ata”, përfundoi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!