Mbetje mortore në fshatin Kalludër i Vogël në Komunën e Zubin Potok në Kosovë.
Ato janë konfirmuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore si më origjinë njerëzore, ndërsa janë marrë kampion për analiza të mëtejshme.
Mjeku Ditor Haliti tha se ekipet kanë dalë në vendndodhje me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ne kemi dalë këtu së bashku me të gjitha ekipet, edhe me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Sektorin për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës, komponentën e EULEX-it, e cila është në kuadër të IML-së, ku kemi filluar punën për ta bërë këtë vlerësim. Sipas vlerësimeve preliminare mund të konfirmojmë se mbetjet janë me origjinë njerëzore dhe se janë me interes mjeko-ligjor.”
Ndërsa udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se është ende herët për të dhënë më shumë detaje, deri në përfundimin e të gjitha ekzaminimeve.
“Gjithmonë është përpjekje e vazhdueshme institucionale për ta respektuar një të drejtë elementare të familjeve dhe familjarëve, që është e drejta për ta ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Sigurisht që do të presim përfundimin e të gjitha ekzaminimeve, procesin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore, dhe çdo informacion që mund të ndahet, fillimisht do të ndahet me familjarët e personave të zhdukur, të cilët janë në qendër të këtij procesi, e më pas edhe me opinionin publik.”
Dyshimet janë se në këtë lokacion mund të jenë mbetjet mortore të grupit të njohur si “intelektualët nga Mitrovica”, të cilët rezultojnë të zhdukur më 19 prill 1999.
Megjithatë, identifikimi i tyre dhe konfirmimi përfundimtar do të bëhet vetëm pas përfundimit të procedurave të zhvarrimit dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Ndërkohë, dy serb të dyshuar në lidhje me këtë rast janë arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës./abcnews.al


