Milani rreth Ibrahimovic. Stefano Pioli, trajneri i kuqezinjve, është pyetur shumë në konferencën e sotshme për shtyp para ndeshjes kundër Sampdoria. “Zlatan është prezantuar mirë, si në deklaratat e dhëna, si në sjelljen e tij me ekipin në ditët e para. Është shumë i vëmendshëm, ka kureshtje dhe po tenton të kuptojë dinamikën e gjerave, të njohë shokët dhe trajnerin e ri. Do i duhet pak kohë. Tani për tani nuk është një moment për të folur, por për t’i bërë gjërat”, shprehet Pioli.
Italini vijon të flasë për suedezin: “Ibra nuk është një lojtar dosido, e ka ndryshuar ambientin. Është një profesionist fantastik. Ai ishte u fundit që u largua sot nga dhomat e zhveshjes. Ka ardhur i vendosur dhe me shumë entuziazëm. Është grumbulluar dhe nëse ndodh kjo, atëherë ka shanse të luajë”. Pioli ndërkohë kërkon që të shihet suedezi si shpëtimtari i Milanit. Duhet që i gjithë ekipi të paraqitet mirë që të fitojnë ndeshjet.
“Nuk mendojmë se Ibra është shpëtimtari i atdheut. Do të jetë një vlerë e shtuar në punën tonë, në jetën tonë të përditshme dhe së shpejti edhe në ndeshjet tona. Ai nuk mund t’i fitojë ndeshjet i vetëm, është një kampion dhe kërkon ta tregojë diçka të tillë sërish. Ka akoma dëshirë dhe pasion. Gjithsesi është skuadra që duhet të paraqitet më mirë se herën e fundit”.
“Si do ndihet ai që do lihet në stol nëse luan Ibra? Të mos flasim para kohe, nuk vendoset karroca para kaut. T’i marrim gjërat me radhë. Nuk e di, nuk është se do më interesonte shumë si do ndihej ai që do lihej në stol. Për mua e rëndësishme është që të kemi zëvendësime që na japin mundësinë të përmirësojmë lojën tonë gjatë ndeshjes”.
“Ibra e Piatek së bashku? Të gjithë mund të luajnë së bashku. I rëndësishëm është ekuilibri dhe krijimi i më shumë rasteve për shënim, në krahasim me kundërshtarët. Mund të ndryshojë diçka me Ibrën në aspektin taktik. Gjithçka është në fazën e zhvillimit. Unë nuk është se jam i fiksuar në ndonjë taktikë apo modul të veçantë”, përfundon Pioli. /abcnews.al