Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Ankth apo depresion? Psikologia shqiptare në Gjermani: Mos u vetëdiagnostikoni!

schedule12:08 - 22 Korrik, 2026

schedule 12:08 - 22 Korrik, 2026

Ankthi dhe depresioni janë ndër problemet më të përhapura të shëndetit mendor, por shpesh ngatërrohen me njëri-tjetrin. Në një lidhje direkte nga Gjermania për ABC e Mëngjesit, psikologia Shkëndije Berisha Pacolli shpjegoi se këto janë dy gjendje të ndryshme, edhe pse në shumë raste mund të shfaqen së bashku.

Sipas saj, ankthi lidhet me frikën dhe shqetësimin për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, ndërsa depresioni karakterizohet nga trishtimi i thellë, humbja e interesit dhe kënaqësisë për jetën e përditshme. Kur këto simptoma zgjasin të paktën dy javë dhe ndikojnë në funksionimin normal të njeriut, atëherë nevojitet vlerësimi nga një profesionist.

Psikologia u ndal edhe te fenomeni i njohur si “frika nga frika”, ose ankthi anticipues. Në këtë gjendje, personi nuk ka frikë vetëm nga simptomat e ankthit apo panikut, por edhe nga mundësia që ato të rikthehen. Kjo krijon një rreth vicioz, ku ankthi ushqehet vazhdimisht edhe kur nuk ekziston një rrezik real.



Ajo theksoi se terapia psikologjike ka dhënë rezultate shumë të mira në trajtimin e ankthit, ndërsa në disa raste mund të jetë i nevojshëm edhe bashkëpunimi me një psikiatër. “Kërkimi i ndihmës nuk është dobësi, por hapi i parë drejt lirisë nga frika imagjinare”, u shpreh ajo.

Një tjetër shqetësim i madh, sipas psikologes, është vetëdiagnostikimi përmes internetit dhe rrjeteve sociale. Shumë njerëz lexojnë simptomat online ose ndjekin këshillat e miqve dhe familjarëve, duke marrë vitamina apo trajtime pa u konsultuar me mjekun. Ajo paralajmëroi se kjo mund të rrisë ankthin, të çojë në trajtime të gabuara dhe të vonojë diagnozën e saktë.

“Çdo njeri është unik. Simptomat mund të jenë të ngjashme, por shkaqet janë të ndryshme. Hormonet, sistemi nervor dhe gjendja fizike ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si përjetojmë emocionet”, theksoi ajo, duke shtuar se rrjetet sociale nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë profesionistët e shëndetit.

Gjatë intervistës, Shkëndije Berisha Pacolli ndau edhe këshilla për prindërit. Sipas saj, fëmijët kanë nevojë për dashuri, kufij të qartë dhe shembull pozitiv. Ata nuk edukohen vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me sjelljen që shohin çdo ditë tek prindërit. Ajo këshilloi që fëmijët të mos krahasohen me të tjerët, të mos rriten me frikë apo me pritshmëri të pamundura, por të ndihen të pranuar, të respektuar dhe të mbështetur.

Duke folur për jetën mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, psikologia u shpreh se diaspora i ka mësuar forcën, disiplinën dhe aftësinë për t’u përshtatur, pa harruar kurrë rrënjët. Ajo beson se një shoqëri e fortë ndërtohet nga familje të forta, gra që besojnë te vetja dhe të rinj që nuk kanë frikë të ëndërrojnë, pavarësisht se ku jetojnë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!