Oreksi vjen duke ngrënë. Kështu është shprehja popullore, dhe Egnatia padyshim që kërkon edhe më shumë pasi kaloi për herë të parë në histori një tur në Ligën e Kampionëve.
Skuadra nga Rrogozhina, tri herë radhazi kampione e Shqipërisë, do të dalë sërish sonte në fushë për të luajtur sfidën e parë të raundit të dytë eliminator.
Në orën 21:00, në “Arenën” rrogozhinase përballë ekipit të trajnerit Nevil Dede do të jetë kampionia e Sllovenisë, Celje.
Besimi është I madh, po ashtu shpresa, ndonëse rivali i sotëm është ku e ku më i fortë sesa Petrokub i Moldavisë, që u kalua bindshëm në turin e parë eliminator.
Pas barazimit 1-1 jashtë fushe, Egnatia triumfoi 6-1 në shtëpi, duke arritur kualifikimin me stil. Ndeshja e kthimit do të luhet në 28 korrik në Slloveni.
Nëse kampionia e Shqipërisë ia del edhe ndaj Celjes, atëherë në raundin e tretë në Champions do të kishte një short të favorshëm, pasi do të ndeshej me fituesin e çiftit Ararat I Armenisë-Shamrok Rovers i Irlandës. Në rast eliminimi, sërish do të kishte mundësi të vazhdonte në turin e tretë të Ligës së Europës.



