“Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”. Me këtë moto zbresin në fushë ish-lojtarë të kombëtares shqiptare më 10 mars, ndërkohë që në këtë ndeshje solidariteti do të marrin pjesë edhe futbollistë të Italisë kampione bote të vitit 2006, kampionë Europe me Greqinë në vitin 2004 dhe ish-lojtarë të Turqisë, që në vitin 2002 u rendit e treta në Kampionatin Botëror.
Sindikata e Futbollistëve dhe FSHF kanë organizuar gjithçka dhe ndeshja do të zhvillohet në “Air Albania Stadium”, prej orës 18:00. Së fundmi janë publikuar edhe çmimet e biletave, që variojnë nga 500 lekë në 10000 lekë në tribunën VIP.
Të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Shitja e biletave ka nisur dhe pikat e shitjes janë te biletaria e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe në dyqanin zyrtar të FSHF.
LOJTARËT E SHQIPËRISË – Andi Lila, një nga organizatorët kryesorë të këtij eventi, ka zbuluar edhe listën e lojtarëve të kombëtares shqiptare që do të jenë në këtë ndeshje. Ka edhe përjashtime, pasi në listë janë përfshirë edhe dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Nderim Nexhipi dhe Artim Shaqiri.
Lista e publikuar nga Lila është si më poshtë; Foto Strakosha, Lorik Cana, Edvin Murati, Alban Bushi, Igli Tare, Altin Lala, Besnik Hasi, Altin Rraklli, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Artim Shaqiri, Klodian Duro, Ervin Bulku, Armend Dallku, Nevil Dede, Debatik Curri, Hamdi Salihi, Redi Jupi, Nderim Nexhipi dhe Adrian Aliaj. Trajner i kuqezinjve do të jetë Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. /abcnews.al