Në video është fiksuar momenti kur 18-vjeçari Arvin Fregjaj plagos me mjet prerës 32-vjeçarin Vildan Këpeca brenda ambienteve të Poliklinikës së Shkodrës.
Pas ngjarjes, Policia arrestoi Arvin Fregjajn, si dhe babain e tij, Agron Mehmetaj, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në këtë ngjarje.
18-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armës së ftohtë” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërsa Agron Mehmetaj akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 dhe konflikti nisi për motive të dobëta, të lidhura me radhën e pritjes në poliklinikë.
Pas plagosjes së vëllait të tij, 41-vjeçari Arben Këpeca mori një armë zjarri pistoletë me fishek në fole dhe u nis në këmbë për të gjetur autorin e dyshuar. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, ai u ndalua përpara se situata të përshkallëzohej në një ngjarje edhe më të rëndë. Gjatë ndërhyrjes së efektivëve, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, por u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë. Pistoleta dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



