Dy varka që transportonin më shumë se 500 persona mund të jenë përmbysur pranë brigjeve të Birmanisë ditët e fundit, kanë njoftuar agjencitë e OKB-së të enjten, ndërsa refugjatët nga vendi i përfshirë nga lufta ndërmarrin udhëtime të rrezikshme detare në kërkim të sigurisë dhe një jete më të mirë.
Varkat ishin nisur nga shteti Rakhine i Birmanisë në fund të qershorit, duke transportuar kryesisht pasagjerë nga pakica etnike Rohingya, mes të cilëve, sipas raportimeve, kishte edhe persona nga kampet e refugjatëve në Bangladesh, kanë njoftuar në një deklaratë të përbashkët Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR), duke iu referuar informacioneve paraprake.
Ekziston frika se më shumë se 500 persona kanë humbur jetën, thuhet në njoftim.
“Edhe pse incidentet dhe shifrat e viktimave nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht, UNHCR dhe IOM janë thellësisht të shqetësuara për humbjen potencialisht shkatërruese të jetëve njerëzore.”
Të shtyrë nga dhuna në vendin e tyre dhe kushtet e dëshpëruara në kampet e mbipopulluara të refugjatëve në Bangladesh, pjesëtarët e pakicës myslimane Rohingya të Birmanisë, të përndjekur prej kohësh, kanë rrezikuar jetën për vite me radhë duke udhëtuar me varka të dobëta prej druri, me shpresën për të gjetur siguri dhe mundësi për të siguruar jetesën në vende si Malajzia, Indonezia dhe Tajlanda.
Vitin e kaluar, pothuajse 900 refugjatë Rohingya kanë humbur jetën ose kanë rezultuar të zhdukur në Detin Andaman dhe Gjirin e Bengalit, duke e bërë atë rrugën detare më vdekjeprurësen në botë për refugjatët dhe migrantët, sipas OKB-së.
Lidhur me incidentet e fundit, agjencitë e OKB-së kanë bërë të ditur se varka e parë, me rreth 250 persona në bord, ka humbur kontaktet menjëherë pas nisjes, ndërsa anija e dytë, që transportonte rreth 280 persona, dyshohet se është fundosur pranë bregdetit Irraëaddy të Birmanisë, më 8 korrik.
“Këto udhëtime u kryen jashtë sezonit të zakonshëm të lundrimit, kur kushtet detare janë zakonisht më të rrezikshme”, thuhet në një deklaratë.
Eksodi i Rohingyave nga Rakhine ka filluar në vitin 2017, pasi ushtria e Birmanisë nisi një ofensivë në provincën kufitare, duke bërë që të paktën 730,000 persona të kërkonin strehim në vendin fqinj, Bangladeshin. Ndërsa Birmania mohon kryerjen e abuzimeve ndaj Rohingyave, ai refuzon t’i njohë ata si shtetas, duke pretenduar se ky grup pakicë përbëhet nga emigrantë të paligjshëm.
Situata e tyre e vështirë është përkeqësuar nga grushtshteti ushtarak i vitit 2021 në Birmani, i cili çoi në një luftë civile të përhapur që përfshiu edhe rajonin e Rakhines, ku popullsia Rohingya u gjend e kapur në mes të luftimeve midis trupave qeveritare dhe forcave rebele të Ushtrisë Arakan.
UNHCR-ja dhe IOM-i kanë njoftuar se, gjatë këtij viti, raportohet se rreth 300 persona kanë humbur ose kanë vdekur në Detin Andaman dhe në Gjirin e Bengalit, përfshirë refugjatë Rohingya dhe shtetas të Bangladeshit.



