Ish-presidenti i SHBA-së Joe Biden njoftoi sot në llogaritë e tij në mediet sociale publikimin e një libri të titulluar “Promise me, America’’ (‘’Më premto, Amerikë”), në të cilin ai reflekton mbi katër vitet e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe deklaroi se trajtimi i tij për kancerin po shkonte “shumë mirë”.
Demokrati 83-vjeçar zbuloi në maj 2025 se ishte diagnostikuar me kancer “agresiv” të prostatës.
“Kam kaluar shumë kohë me familjen time. Kam kancer, po i nënshtrohem trajtimit dhe gjithçka po shkon shumë mirë”, tha ai në një video të shkurtër.
Joe Biden shpjegon se ky libër do të përqendrohet në “sfidat me të cilat u përballëm si komb, vendimet që mora dhe pse i mora ato”. Presidenca e tij filloi me sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol nga mbështetësit pro Trump, të cilët kërkuan të parandalonin certifikimin e fitores së tij pas akuzave të rreme nga kandidati republikan.
Më pas, atij iu desh të përballej, ndër të tjera, me pasojat e krizës COVID-19 dhe fillimin e luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara deklaroi gjithashtu se do të rikthente në librin e tij arsyet që e çuan të tërhiqej nga gara për një mandat të dytë të mundshëm në vitin 2024, në favor të zëvendëspresidentes, Kamala Harris.
Libri do të publikohet më 17 nëntor, vetëm disa javë pas zgjedhjeve të mesmandatit.



