E treguan sërish se dinë t’i luajnë ndeshjet e mëdha.
Spanja, kampione e Europës në fuqi, arriti finalen e Kupës së Botës, pas një fitoreje të merituar, edhe pse shumë të vështirë, ndaj Francës favorite në stadiumin e “Dallasit”.
Ia doli ashtu si në Euro 2024, kur e mundi 2-1, dhe si në Ligën e Kombeve në 2025 me suksesin 5-4.
Gjithmonë e pasigurt, gjithmonë në buzë të rrezikut, por gjithmonë duke komanduar lojën.
Siç e theksuan të gjitha agjencitë e lajmeve, dhe analistët, loja kolektive e “Furive të Kuqe” ishte ku e ku më e fortë sesa talenti I jashtëzakonshëm I kësaj France.
Sulmuesi bask, Ojarzabal, dhe mbrojtësi Porro shënuan nga një gol për çdo pjesë loje, dhe Spanja kontrolloi ritmin, edhe kur e kishte topin në këmbë, edhe kur atë e kishin kundërshtarët.
Nuk ishte dominimi I tiki-takës, pasi iberikët e mbajtën sferën vetëm 51 për qind, por një skuadër e bashkuar që nuk lejoi asnjë hapësirë për yje si Mbape, Dembele, Olize, Barkola e më pas Due.
Rodri, Fabian Ruiz e Dani Olmo u bënë zotër të mesfushës, Kukureja bllokoi Mbapenë, Lamin Jamal ishte gjithnjë një kërcënim, ndërsa Ojarzabal është heroi I heshtur, që askush nuk e pret, por që gjithmonë bën atë që duhet.
Ashtu siç ndodhi shumë herë më parë, Spanja e rriti nivelin e lojës atëherë kur duhej, dhe na tregoi versionin e saj më të mirë pikërisht në momentin vendimtar.
Franca, nënkampione e botës nuk ia doli pikërisht në Ditën e Bastijës, një zhgënjim, ndonëse humbja me “Furitë” nuk është asnjëherë një turp.
Trajneri Deshamp del në pension, Mbape duhet të presë një rast tjetër, ndërsa Kampionët e Europës presin rivalin e finales së Botërorit, që do të mësohet pas duelit mes Anglisë dhe Argjentinës në Atlanta.



