Është e vështirë të besohet që kjo mund të ndodhë. Gjithsesi, në jetë ngjan gjithçka, dhe shqetësimi i qeverisë spanjolle për organizimin nga Spanja të Kupës së Botës në vitin 2030 duket I ligjshëm.
Kryeministri iberik, Pedro Sançez, por sidomos ministrja e sportit, Milagros Tolon, e kanë shprehur druajtjen se mos finalja e atij Botërori nuk do të jetë në Madrid, siç është edhe e logjikshme dhe e parashikuar, por në kryeqytetin e Marokut, Rabat.
Siç shkruan e përditshmja “Marka”, ka zëra se presidenti I FIFA-s, Xhani Infantino ia ka premtuar pikërisht Marokut organizimin e ndeshjes për titull pas 4 viteve.
Kjo mund të ishte një lloj hakmarrjeje për qendrimin e Federatës Spanjolle të Futbollit ndaj planeve të Infantinos për t’i dhënë privatëve 20 për qind të aksioneve në kupat e ardhshme të botës, plane që dështuan pas kundërshtimit të vendosur nga UEFA dhe më gjerë.
Kupa e Botës në 2030 do të organizohet nga 3 shtete, ashtu si edhe kjo e këtij viti, dhe pikërisht nga Spanja, Portugalia e Maroku, dhe 11 stadiume do të jenë spanjolle, 6 marokene dhe 3 portugeze.
Spanja fitoi titullin botëror në 19 korrik pasi mundi 1-0 Argjentinën në finalen e luajtur në stadiumin e Nju Xhersit, me gol nga Ferran Torres në kohën shtesë, duke u shpallur për herë të dytë kampione e rruzullit./abcnews.al


