Ka hyrë sot, 15 korrik, në fuqi ligji për amnistinë penale, e miratuar nga Kuvendi më 18 qershor dhe e dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor.
Sipas parashikimeve të ligjit, nga amnistia përfitojnë 1,335 persona të dënuar, mes tyre gra dhe të mitur, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale.
Emri i saj u bë i njohur në fillim të vitit 2023, kur u arrestua nën akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa ku punonte si pastruese prej disa vitesh.
Hetimet zbuluan një shumë edhe më të madhe parash. Gjatë kontrollit në banesën e Dobit, policia sekuestroi 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri të fshehura në tubin e aspirimit. Gjithashtu, u sekuestruan 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.
Dosja mori jehonë të gjerë publike për shkak të shumave të mëdha të parave të sekuestruara, ndërsa hetimet u shtrinë edhe mbi burimin e tyre.
Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka lënë qelinë, duke përfituar nga amnistia penale e miratuar së fundmi.
Po ashtu, nga amnistia përfiton edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili u arrestua pasi u kap me sasi kokaine.
Mes përfituesve është edhe Erisa Fero, ish-punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e arrestuar në dhjetor 2022 pasi u kap me 58 kilogramë kanabis.
Zbatimi i ligjit ka nisur menjëherë pas hyrjes së tij në fuqi, ndërsa institucionet përgjegjëse po vijojnë procedurat për lirimin e personave që përmbushin kriteret ligjore të amnistisë.



