E ftuar në “News Line”, deputetja e PS-së, Briseida Çakërri, deklaroi se protestat e fundit në Tiranë po veniten dhe se kërkesat e tyre me megafon nuk merren seriozisht pasi po kërkojnë kthimin në regres.
Ajo dënoi ashpër sulmet ndaj bizneseve private, duke i cilësuar si lëvizjen më të dobët, sidomos në prag të sezonit turistik, ndërsa shtoi se pas tyre qëndrojnë partitë opozitare.
Çakërri theksoi se institucionet po punojnë për të zbardhur edhe ndikimet e mundshme nga jashtë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve pjesëmarrës që të ulen në tryezë për të diskutuar.
“Kërkesat me megafon nuk merren shumë seriozisht, sepse janë edhe shumë të ndryshme. Po shikojmë që me “Shqipërinë e re” kërkojnë që të na kthejë në regres. Sulmi ndaj bizneseve private nuk është në dobi të askujt, sidomos në prag të sezonit turistik. Është gjëja më e dobët që kanë bërë, patjetër që janë marrë masa. Nuk mund të fshihet i gjithë ndikimi që kanë partitë politike, opozitare.
Ata që kanë ngelur në shesh në këtë moment janë të opozitës. Patjetër që mund të ketë ndikim nga jashtë, por pritet momenti për të zbardhur këto ndikime, institucionet vazhdojnë punën e tyre. Në momentin që gjërat janë sa më të sakta dhe të sigurta, atëherë informacioni do të bëhet publik. Ne nuk kemi një parashikim për protestën, por kemi një kërkesë për gjithë qytetarët që ishin në atë protestë, që të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë për të mirën e përbashkët”, tha Çakërri.
Deputetja komentoi edhe denoncimet në SPAK për koncertin e Kanye West, duke e quajtur atë një fitore të madhe për imazhin dhe bizneset në Shqipëri.
“Për partitë opozitare nuk kemi asnjë kërkesë të tillë. Në këto momente kjo protestë po venitet nga i gjithë ndikimi që pati. Sa i takon faktit që kanë denoncuar në SPAK organizimin e koncertit të Kanye West, koncerti është ndërkombëtarizim. Është i imazhi i Shqipërisë, të gjithë sytë ishin kthyer nga Shqipëria. Kjo ishte për të mirën e bizneseve dhe të Shqipërisë. Ishte një fitore për imazhin e Shqipërisë”, tha deputetja.



