Super e marta në Bruksel. 4 konferenca ndërqeveritare do të mbahen sot nga BE, me në krye Shqipërinë.
Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos u shpreh se ky është një çast vendimtar për Shqipërinë që këtë të martë vulos mbylljen e 3 grupkapitujve të parë të negociatave.
“Është një çast vendimtar për Shqipërinë, me nisjen e mbylljes së grupkapitujve të negociatave, dhe sigurisht frontrunneri ynë, Mali i Zi, me mbylljen e dy grupkapitujve të tjerë të negociatave, 18 dhe 33, që do të thotë më shumë se gjysmën. Pra është një ditë për të festuar, por gjithashtu një ditë për të parë drejt së ardhmes për të punuar edhe më fort”, tha Kos.
Për Kos, Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten favoritet për tu anëtarësuar në BE dhe fati është në anën e tyre.
“Sot është super e martë për zgjerimin, për më shumë se 2 dekada, nuk kemi pasur kurrë 4 konferenca ndërqeveritare në një ditë, kjo ndodh sot.
Kjo është një ditë e mirë për Presidencën irlandeze dhe fat për këto 4 gjethet, për zgjerimin me Moldavinë, Ukrainën, Malin e Zi dhe Shqipërinë që po bëjnë hapat e rëndësishëm përpara. Këta janë frontrunners, me Moldavinë dhe Ukrainën hapim kapitullin 6. Kemi mbështetjen e vendeve anëtare, por vetëm nëse vendet kandidate kanë arritje, dhe ne duhet të kujdesemi për këtë”, shtoi Marta Kos.
Konferenca e 9-të ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE është parashikuar të mbahet këtë të martë në orën 19. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama që bashkë me zyrtarët e lartë të BE do të mbajnë një konferencë për shtyp në orën 20.
Shqipëria mbyll këtë të martë 3 grupkapituj të negociatave, arsimin dhe kulturës, shkencën dhe kërkimin si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Nisja e këtij procesi vjen pas miratimit të raportit IBAR në muajin maj.
Objektivi i Shqipërisë mbetet mbyllja e gjithë grupkapitujve të negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimi i plotë në 2030.



