Analiza e pianistit Sulejmani për festivalin në RTSH: Arsyet pse çmimi ishte i paracaktuar

schedule14:40 - 4 Janar, 2020

schedule 14:40 - 4 Janar, 2020

Dirigjenti dhe pianisti Desar Sulejmani ka bërë një analizë  të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit u shoqërua me shumë polemika.

Teska çmimi i parë dhe i dytë vijon të komentohet, pianisti i futet çështjes deri në detaje. Ai ndalet fillimisht tek këngët garuese dhe 3 anëtarët e jurisë Zhani Ciko,Dorian Çene dhe Soni Malaj. Treshja përzgjedhëse tregoi edhe një herë që ishin vetëm marioneta dhe zbatues të një politike, të një vendimi të ngushtë, i cili, siç u duk më vonë, ishte i paracaktuar, thotë Sulejmani.

Sipas dirigjentit, dy drejtueset e Festivalit, Grabocka dhe Vejsiu, treguan, krahas të tjerave edhe mospasjen e një koncepti të mirëfilltë mbi rrjedhën logjike të skenarit, ndërsa Vejsiun e cilëson si një kukull “Barbie pa shije”.

Po ashtu Sulejmani kritikon tekstet e varfra, muzikanti ndalet edhe tek gabimet ritmikeve të dy këngëve finaliste “Shaj” dhe “Me tana”.

Analiza e plotë nga Desar Sulejmani:

Si çdo herë, që nga 21 dhjetori i vitit të largët 1962, atëherë kur Shqipëria sapo kishte nisur garën e saj Festivali i Këngës në Radio, edhe këtë vit ky aktivitet i patjetërsueshëm i këngës e zhvillimeve të reja muzikore alternative në Shqipëri (ndër të tjera pop, rock, soul, r&b, ethno-folk, apo jazz) ngjalli një lloj kërshërie relative në opinionin shqiptar.

I mbuluar si përherë më një tis mjegulle informative, i plotësuar me lajme dhe informacione kundërshtuese, të cilat shkonin deri në thirrje të hapura për mospjesëmarrje, akuzave për favorizime të njëanshme për këngëtarë apo kompozitorë të veçantë, edhe FEST’ 58, në bulëzën e tij ndërtuese qëlloi mjaft polemik dhe konfliktual, i ndryshëm nga notat e pritshmërisë në publik.

Në vëzhgimet e mia të përgjithshme në lidhje me zhvillimet teknologjike dhe ofertat programore të Radio Televizionit Shqiptar(RTSH), të para në këtë rast nga larg, kam vënë re kohëve të fundit disa anë pozitive dhe sfiduese në lidhje me vetëdijesimin e institucionit në lidhje me rolin e tij parësor në qasjen radiofonike/televizive në shoqëri.

Roli edukues, mbështetës dhe ruajtës i vlerave të shëndosha shoqërore i takon vetëm RTSH-së, si institucion publik dhe kombëtar radioteleviziv në Shqipëri. Kjo është një e drejtë ligjore dhe morale, sikurse edhe përgjegjësi shoqërore, e cila në rastin më të mirë duhet të jetë udhërrëfyesja kryesore e çdo zhvillimi teknologjik, përmbajtjesor e ideor në RTSH. Sidoqoftë, edhe këtu të gjithë ne duhet të jemi në radhë të parë të sinqertë me veten, Festivali i Këngës në RTSH, sidomos pas mundësisë së dhënë Shqipërisë për pjesëmarrje në Eurovision Song Contest (ESC), jo vetëm ka humbur karakterin dhe qëllimin e krijimit të tij, – prezantimin e ideve të reja në muzikë, tekst, orkestrim e vokal të këngës moderne shqiptare – por sa po vjen dhe po e ngushton rrezen e veprimit, sikurse po karakterizohet viteve të fundit jo më si një platformë serioze e hapur garuese, por si një nismë më shumë personale, private, aq më pak gjithëpërfshirëse e kombëtare. Shkëndija e zhvillimit të një konflikti përmbajtjesor në këtë rast është e pashmangshme.

Në rastin e Festivalit të Këngës në RTSH përplasen dy botë artistike krejt të ndryshme. Nga njëra anë kemi karakterin tërësisht garues, të lirë, nga çdo lloj kornize përgjithësuese 3-minutëshe, hovin e natyrshëm artistik eksperimental dhe provokues, kërshërinë profesionale për të zbuluar rrugë të reja të këngës bashkëkohore shqiptare, cilësi këto, të cilat mund të shfaqen (ashtu sikurse edhe janë shfaqur jo rrallë) lirisht në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, ndërkohë që nga ana tjetër kemi të bëjmë me një pjesëmarrje ndoshta të detyruar, apo përqendrim artificial drejt një konkursi europian të këngës, lidhje apo favorizim kompozitorësh/producentësh e studiosh prodhuese të saj, kufizimin e gjinisë së këngës vetëm drejt motiveve afatshkurtra argëtuese, të cilat ndër të tjera e vendosin gjininë përkatëse (jo vetëm shqiptare) nën një standardizim të thellë ideor, përmbajtjesor, politik dhe gjatësie artistike.

Unë, i çliruar nga çdo paragjykim përmbajtjesor, i hapur dhe me shpresën për zhvillime pozitive, e kam ndjekur me dëshirë e kërshëri të veçantë festivalin e sivjetshëm, ndryshe nga herët e tjera, në gjithë tërësinë e tij, pra që nga momenti i parë, thirrjen për sjellje të këngëve garuese, shpalljen e tyre nga juria përzgjedhëse e deri në momentet e fundit me 22 dhjetor 2019.

Duke qenë ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të viteve të fundit të këtij formati artistik në RTSH, përshëndeta personalisht marrjen në dorë të drejtimit të FEST ‘58 nga vetë kupola drejtuese e institucionit, ndryshe nga vitet e tjera kur kishim të bënim me drejtues nga institucioni i Radios. Në mendjen time, ky ishte një hap i natyrshëm drejt marrjes së përgjegjësive institucionale pas dështimeve të herëpashershme të ndodhura viteve të fundit. FEST’ 58 premtonte pra, në momentin fillestar dhe parimor korrektesë institucionale, rregulla të qarta garuese si dhe transparencë etike deri në minutën e fundit të zhvillimit të tij.

Të jem i sinqertë, në mbyllje të çdo Festivali të Këngës në RTSH të viteve të fundit, kam menduar që kemi arritur në kufirin e padurueshëm të mediokritetit intelektual e artistik, që nuk ka më keq, apo që ka ardhur më së fundmi momenti i një reflektimi institucional, njerëzor e mbi të gjitha etiko–artistik, krijimi i një vizioni të ri (jo vetëm për Festivalin e Këngës) si pjesë e përgjegjësisë edukuese të RTSH-së ndaj shoqërisë në tërësi. Por mbas mbarimit të natës së tretë të FEST’ 58, kuptova që kisha menduar gabim, ndjeva që kufiri i paaftësisë e mediokritetit artistik, manipulimit shembullor të publikut, i falsitetit njerëzor dhe shkeljeve të rregullave garuese në institucionin e vetëm radioteleviziv të shtetit amë nuk i kishte ardhur fundi, por vazhdonte të ishte një realitet i hidhur, i pranishëm dhe i prekshëm nga çdokush.

Fatkeqësisht edhe këtë vit, Festivali i Këngës në RTSH e nisi me të kundërtën e asaj që shpalli me nota “moraliste” edhe vetë prezantuesja Alketa Vejsiu (minuta e 52-të e natës së parë – Meritokracia). Fest’ 58 nuk e hodhi hapin e parë të tij – përzgjedhjen e këngëve garuese – në bazë të një rregulloreje të qartë, transparente e të hapur dhe si pjesë e një zhvillimi artistik, të paktën të logjikshëm e të merituar. Treshja përzgjedhëse Ciko, Çene dhe Malaj tregoi edhe një herë që ishin vetëm marioneta dhe zbatues të një politike, të një vendimi të ngushtë, i cili, siç u duk më vonë, ishte i paracaktuar.

Duke prezantuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë shpjegim të mirëfilltë vetëm emrat e këngëtarëve, por jo të kompozitorëve, autorëve të tekstit e aq më pak të orkestruesve të këngëve, juria e zgjedhur “me kujdes” nga përgjegjësit kryesorë të Fest’ 58 shkeli jo vetëm një rregullore të brendshme të vetë RTSH-së, por hodhi hapin e parë drejt një manipulimi pothuajse tremujor, rrotullimit të qëllimshëm drejt emrave “VIP”, apo stisi pseudokomplote e legjenda urbane, duke vendosur kështu standarde aspak profesionale, aq më pak parimore, drejt netëve përfundimtare të “kompeticionit” të këngës shqiptare. Duke njohur profilin e deritanishëm të anëtarëve të jurisë, prapavijën e tyre profesionale, kjo mënyrë të vepruari pa principe e përgjegjësi mbi vendimet që po merrnin, nuk më çuditi aspak! Ndërkohë, konfliktet e interesit, të cilat e kanë zanafillën e tyre dhe kanë zënë vend këmbëkryq prej shumë vitesh në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, në Fest’ 58 ishin aq të hapura dhe irrituese, saqë linin për një çast larg vëmendjes çdo lëvizje sadopak pozitive e risi artistike të netëve të zhvillimit të garës, siç ishte p.sh., zgjidhja skenografike e italianes Patrizia Bocconime, ndryshimet e planeve dritore, të cilën e vlerësoj si një gjetje origjinale dhe aktive për skenën e trishtë të Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Në këtë prizëm, ndërhyrjet e shumta të reklamës (së bashku me minutazhin e tejzgjatur të tyre) ishin përherë absolutisht të papranueshme, ndërkohë që shtroja përherë pyetjen, se përse RTSH-ja ka nevojë për kaq shumë mbështetës privatë, ndërkohë që financohet nga buxheti i shtetit, rrjedhimisht direkt nga taksapaguesit shqiptarë, apo pse në mes të ngjarjes më serioze të këngës moderne shqiptare, publiku i gjerë duhet të shikonte në ekranin e RTSH-së pulat, tavat e tepsitë, pluhurat larës, apo edhe çdo reklamë tjetër bajate (direkt në sallë, apo e regjistruar), kur njëkohësisht thelbi i festivalit, karakteri i tij parësor, gara artistike mes këngëve e protagonistëve të saj, ndërpritej dhunshëm e në mënyrën më të palogjikshme të mundur.

Apo në këtë rast lepuri fle diku tjetër? Kështu i gjithë padurimi, kërshëria apo argëtimi i thjeshtë njerëzor, sikurse edhe vlerësimi profesional, humbitnin lidhjen e natyrshme me skenën e Pallatit të Kongreseve nga ndërhyrjet pa kuptim, e folura plot gabime gjuhësore, apo me mungesë të theksuar integriteti ideor prezantues, bashkuar këto të gjitha jo vetëm me një inteligjencë të ulët skenike, krejtësisht si të një kukulle “Barbie”, por edhe pa shije të Alketa Vejsiut.

Ajo më së miri ia arriti qëllimit të na tregonte të gjithëve, se si NUK duhet të jetë një prezantuese e një ngjarjeje kaq të rëndësishme artistike në vend. Vejsiu gjatë tri netëve të FEST’ 58, e ndodhur në të shumtën e rasteve jashtë kornizave profesionale dhe nivelit absolutisht të paanshëm që ia kërkon rasti përkatës, jo vetëm që cenoi në mënyrë të pacipë në përgjithësi inteligjencën e përbashkët dhe në veçanti të femrës shqiptare, por e ndodhur në gjendje të vazhdueshme hipnoze vetëkënaqësie, në mungese të një skenari të mirëmenduar (FEST’ 58 zyrtarisht nuk kishte skenarist/e), së bashku me krijuesen e saj Grabocka, ishte në cakun e kryerjes së akteve të dënueshme penale, siç ishte p.sh., rasti i shkeljes së privatësisë familjare të së miturës Sara Bajraktari dhe falsiteti i mesazheve në lidhje me të, apo duke nxjerrë e shfrytëzuar vetëm për imazh në skenën e Pallatit të Kongreseve fëmijë në orën 23:30!

Edhe nëse të kënduarit e shpeshtë me playbacke pa asnjë vlerë artistike të prezantueses Vejsiu, rrjedhimisht personalizimi i tejskajshëm i skenës së Festivalit të Këngës në RTSH, përdorimi artificial i fjalëve të huaja (vajbin/vibe – dridhje, apo suspancë/suspense – tension/pasiguri etj.), hartimet “moraliste” alla “Revista Class”, të cilat në gojën e Vejsiut u kthyen gjithmonë në bumerangun e vetë ideve të përcjella, parada e veshjeve shpeshherë joserioze dhe aspak në nivelin e duhur artistik për një skenë kaq të rëndësishme artistike kombëtare, ndërprerjet e vazhdueshme e të stërpërdorura të garës muzikore, si p.sh., me numrat e baletit, apo të humorit politik me nivel të ulët, të shoqëruara me duartrokitje të regjistruara, pyetjet e çastit drejtuar anëtarëve të jurisë, kur ata nuk mund t’i përgjigjeshin në mungesë të një mikrofoni, mund të quhen si zgjedhje regjisoriale apo skenariste të çastit (dritëshkurtre), të sjella sidoqoftë me bindje të plotë si “risi” artistike, si imazh pa qëllim të vërtetë përmbajtjesor e mbi të gjitha me një arrogancë provinciale në skenën e Fest’ 58, treguan më së miri se dyshja Grabocka–Vejsiu është prej kohësh përfaqësuesja më e rëndësishme e antivlerës artistike të spektakleve televizive në Shqipëri.

Gjithashtu, i papranueshëm institucionalisht, për të mos thënë profesionalisht amator, ishte fakti i mungesës së përkthimit paralel të të gjitha bisedave që Vejsiu bënte me të ftuarit e huaj (Alessandro Mahmoud, Eleni Foureira, Giusy Ferreri). Qasje e pabazuar në mungesë të një skenari paraprak ishte po ashtu edhe trajtimi jo i barabartë ndaj këngëtarëve garues pas paraqitjes së këngës së tyre – dikush e linte skenën pa folur asgjë, dikush thoshte vetëm një falënderim, dikush tjetër kishte lirinë të përshëndeste familjen dhe shoqërinë, ndërkohë që të tjerë intervistoheshin gjerë e gjatë.

Nga ana tjetër, moskujdesi artistik (orkestrimet mediokre, që të kujtonin spektaklet skandaloze të tjetërsimit të këngës shqiptare në formatet private televizive) shoqëruar me mungesë ideore, paraqitja e pamenduar skenike, e fshehur nën petkun e “vlerësimit” të figurave të nderuara të këngës së kultivuar shqiptare, e ktheu shpeshherë skenën e Fest’ 58, në një arenë prezantimesh personale narciste apo të tregimeve e barsoletave të moshës së tretë, gjithmonë duke mos harruar falënderimet hiperbolike për ftueset. Duke lënë kështu figura të njohura të këngës shqiptare në vrullin e “emocionit të çastit”, drejtueset artistike, Grabocka dhe Vejsiu, treguan, në fakt, mospasjen e një koncepti të mirëfilltë mbi rrjedhën logjike të skenarit në lidhje me vetë të vlerësuarin/vlerësuarën, duke shfaqur kështu në të vërtetë një mungesë të theksuar respekti ndaj vetë festivalit dhe institucionit të RTSH-së

Duke u kthyer te kënga, si elementi kryesor artistik i një formati të tillë televiziv, oferta muzikore e Fest’ 58, ashtu e cunguar që në rrënjë/ përzgjedhje, u soll përgjatë tre netëve të tij e vakët, pa profile të mirëfillta artistike, si rezultat i një gare pa rregulla të qarta e të hapura, me shumë konflikte të pastra interesi, mungesë totale vetëndërgjegjësimi etik e profesional. Në vazhdimësi nga viti i kaluar, në pushimet e garës muzikore, prezantuesja shfaqej në reklama deri te biznesi i saj privat, drejtori muzikor merr pjesë në garë si kompozitor apo kompozitorë të veçantë arrijnë me dy krijime personale deri në natën përfundimtare apo publikut iu prezantohen autorë tekstesh, që janë familjarë të dyshes drejtuese artistike. Të gjithë ne dëgjuam tekste këngësh mjaft të varfra dhe jashtëzakonisht të cunguara në mesazh, ndoqëm paraqitjet e “VIP”-ave të këngës shqiptare në të shumtën e rasteve me produkte artistike vokale, elemente koreografike apo veshjeje të nivelit banal (shpeshherë nuk isha i sigurt nëse ata ishin të vetëdijshëm që po merrnin pjesë në Fest’ 58 dhe nuk ishin duke kënduar në ndonjë dasmë, “sebep” familjar, apo klub nate shqiptarësh në Europën Perëndimore) dhe pa asnjë motiv estetiko–artistik të mirëqenë. Gjithashtu, prezantimi i përhershëm i bazës muzikore të këngëve të Fest’ 58 me playback (të regjistruar), ndërkohë që në skenë ishin mbi 40 muzikantë të nderuar profesionistë, të shndërruar, në këtë rast, mbi bazë të konceptit artistik/ regjisorial, thjesht në statistë, pianot koncertale që lyheshin nga nata në natë, nga e bardha në vjollcë, rrjedhimisht keqpërdoroheshin nga regjia vetëm si dekor skenik apo këngët që iu prezantuan publikut shqiptar në mënyrë manipulative si “risi muzikore” e të krijuara nga këngëtare të ashtuquajtura “kompozitore”, kur në të vërtetë protagonistet nuk i njohin elementet themeltare të muzikës së shkruar, nuk sollën pothuajse asgjë të re nga çfarë kemi dëgjuar e parë gjatë viteve të kaluara. Përkundrazi, të gjitha këto elemente u bënë edhe një herë një dëshmi e gjallë e mungesës totale të vizionit afatgjatë sesi mund të zhvillohet kënga bashkëkohore shqiptare.

Në këtë rast vlen të përmenden gabimet e rënda në ndarjen/theksin ritmik të fjalës shqipe, siç ishte p.sh. rasti i këngës “Me tana” (sipas dialektit shkodran – Me t’tàna – Me të gjitha), ndërkohë që E. Gjata e sjell në versionin e kënduar, me saktë me melodi të ritmizuar në rrokjen e dytë “…Me tanà…”, pra, me një fjalë shqipe të tjetërsuar nën theksin tipik sllav. E njëjta gjë ndodh edhe me këngën fituese “Shaj” ku që në fillim, te togfjalëshi “mbaj dot/mbaj dot”, apo “ta ndaj/ta ndaj” vendoset një melodi e theksuar ritmikisht gabim, kundër rrjedhjes melodike natyrale të gjuhës shqipe.

Këtu lind pyetja, se mos ndoshta këngëtaret tona porosisin vetëm këngët, mjaftohen me zërin e tyre, të cilin e përdorin në të shumtën e rasteve pa mbështetjen apo përgatitjen e nevojshme trupore/mendore dhe nuk interesohen shumë në lidhje me thelbin e asaj që këndojnë? Mos ndodh kjo edhe nga padija profesionale? A mos vallë kemi të bëjmë këtu me krijime vokale nga e njëjta dorë, e huaj, natyrisht jo e ndjeshme ndaj ritmit natyral të gjuhës shqipe? A e kanë menduar ndër të tjera këtë gjë të përbashkët të këtyre dy këngëve përfaqësueset shqiptare në jurinë e Fest’ 58, kur kanë votuar në mënyrë të ndryshme për to? Këto janë vetëm disa pyetje, të cilat ndoshta asnjëherë nuk do të gjejnë një përgjigje të hapur e të sinqertë, por sidoqoftë ia vlejnë që të shtrohen hapur dhe pa dorashka.

Personalisht e gjej të rëndësishme hapjen e Festivalit të Këngës në RTSH ndaj bashkëpunimeve me artistë të huaj (këngëtarë, kompozitorë, autorë tekstesh apo orkestrues e producentë). Duke qenë që tashmë të gjithë vrapojnë drejt ESC, pa pyetur shumë për pasojat, formati gjeopolitiko–artistik që mbart në vetvete ky aktivitet i këngës europiane, ta imponon të menduarin e të vepruarin në mënyrë të zgjeruar, jashtë rrezes lokale të veprimit. Parë nën këtë dritëhije, në kuadratin e sotshëm artistik të Festivalit të Këngës në RTSH, nuk ka asgjë të keqe, nëse kjo garë e këngës shqiptare i hap dyert për të huajt, kjo edhe pse deri tani e kemi treguar me vepra, se nuk dimë ta bëjmë vetë, se nuk jemi në gjendje të kalojmë ndasitë e çastit, se nuk mundemi të kemi një vizion serioz e të ndërtojmë një skuadër artistike absolutisht profesioniste, e cila do të na nderonte me një pjesëmarrje dinjitoze në ESC. Pra, pjesëmarrja e Darko Dimitrov-it nga Maqedonia e Veriut si kompozitor në Fest’ 58, në princip, nuk paraqet asnjë blasfemi. Deri këtu nuk ka absolutisht asgjë të kritikueshme, qoftë edhe moralisht. Aq më pak kjo pjesëmarrje e tij mund të quhet tradhti ndaj Festivalit apo gjithë brezave që e kanë ndërtuar atë që nga viti 1962.

Por kjo pjesëmarrje, dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet publikisht, nuk vjen nga vullneti personal apo dëshira e z. Dimitrov së bashku me kolegun e tij, Lazar Cvetkov, për të garuar si të barabartë në festivalin tonë, por absolutisht e paracaktuar dhe e drejtuar në mënyrë të detajuar drejt një fitoreje të sigurt nga drejtuesit kryesorë të Fest’ 58

Me këtë rast dua të rendis vetëm disa nga arsyet pse u bë e gjitha kjo zgjedhje:

  1. a) Darko Dimitrov është prej vitesh një emër i njohur e aktiv mes kukullave këngëtare shqiptare anembanë trojeve autoktone;
  2. b) Darko Dimitrov bashkëpunon prej kohësh me spektaklet e këngës në mediat private, atje ku dyshja Grabocka – Vejsiu vepron lirisht e plotfuqishëm;
  3. c) Fituesja e Fest’ 58, Arilena Ara, si produkt artistik i spektakleve të drejtuara e ideuara nga dyshja Grabocka – Vejsiu, bashkëpunon, që nga fillimet e suksesit të saj vokal, përveç disa këngëve të prodhuara nga TETA Records (Izrael), në mënyrë të përqendruar me Darko Dimitrov;
  4. d) Pas suksesit të Tamara Todevska në ESC 2019, bashkëpunimi me z. Dimitrov u pa nga drejtuesit e Fest’ 58 si një mundësi (ndër të tjera naive) për një sukses (të garantuar) shqiptar në Roterdam.

Sidoqoftë. duke krahasuar fare thjesht këngët përkatëse të z. Dimitrov (“Proud” me “Shaj” apo “Eja merre”), dallohet qartë ndasia dhe mënyra e ndryshme e prezantimit të këngës nga vetë ai. Mesazhi global, thjeshtësia e interpretimit, forca muzikore apo realizimi artistik për bashkëqytetaren e tij, janë ndër të tjera ato elemente artistike, të cilat janë shumë larg ofertës muzikore që ai ka sjellë në Fest’ 58 si kompozitor i dyfishtë.

Unë dyshoj që këtu kemi të bëjmë me një ofertë të sinqertë ardhur si nismë nga Shkupi. Më shumë besoj në një kërkesë nga pala shqiptare, më shumë sajdisje (servilosje) politiko–financiare (Mini–Schengen-iste), e cila i plotësonte më së miri kushtet për katapultimin përfundimtar të së “të mikluarës” të Grabockës–Vejsiut drejt ESC 2020.

Të gjitha pikat e lartpërmendura (lista mund të zgjatet lehtësisht) mund të jenë të zbatuara, disi të kuptuara apo deri diku të pranuara, kur përqendrohen në transmetues televizivë privatë. Të sjella sidoqoftë ashtu hapur e pa drojë, me një vetëvlerësim prej budallai, me tone të vazhdueshme delirie, duke sfiduar hapur të zotin e shtëpisë, Fest’ 58 dhe RTSH-ja – rasti më flagrant ishte komenti i Vejsiut mbi rëndësinë e formateve televizive private në gjetjen dhe zhvillimin e talenteve të reja – ndërkohë që është detyra institucionale, morale e logjikisht profesionale, pikërisht e RTSHsë, që të marrë në dorë zbulimin, zhvillimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të talenteve të reja – na treguan të gjithëve sa shterpë, sa pak përmbajtje dhe ide të reja kishte në drejtimin artistik të dyshes Grabocka–Vejsiu, fatkeqësisht mbështetur edhe nga titullari i RTSHsë në Fest’ 58. Rrjedhimisht, oferta artistike e grupit realizues të Festivalit të Këngës në RTSH 2019, e parë në planin afatshkurtër, mund të ndihet nga publiku i gjerë ndër të tjera si irrituese, me mungesë totale të një autokritike e vetëpërmbajtjeje profesionale, me mendësi të vjetruara e amorfe drejtimi televiziv, e parë me largpamësi, edhe pse e dhimbshme, ajo është një ofertë shembullore për të mos u përsëritur më kurrë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, gjithmonë nëse mendojmë se RTSH mendon sinqerisht dhe me seriozitetin e duhur në lidhje me humbjen e mundshme të besueshmërisë institucionale në shoqërinë shqiptare majtas e djathtas kufirit politik.

Së fundmi, do të kishte qenë shume shpresëdhënëse nëse Arilena Ara (sikurse dhe shumë shoqe e shokë të talentuar të saj), të mbërrinin në ESC, pikërisht në bazë të meritës e nivelit të tyre të pastër profesional, pa makinacionet, ndryshimet në minutë të fundit, apo vlerësimet subjektive të shoqeve bashkëqytetare në juri. Arilena Ara, me talentin e saj, pa dyshim të dukshëm dhe me një të ardhme artistike shpresëdhënëse, nuk e ka të nevojshme këtë “damkosje” artistike që në fillimet e karrierës së saj. Nga ana tjetër është absolutisht naive dhe në fakt humbje kohe të presësh gjëra të mira, vizione afatgjata, principe profesionale apo paraqitje ndryshe të Festivalit të Këngës në RTSH nga njerëz, të cilët më së paku janë arkitektët kryesore të prishjes së ekuilibrave të natyrshëm profesionalë, të futjes së një stili pune pa rregulla dhe vizion, kudo ata kanë pasur detyra shtetërore, institucionale.

Le të shpresojmë që Arilena Ara, në javët e muajt në vazhdim, ta përvetësojë artistikisht më thellë këngën e saj, pa pasur qëllim në vetvete prezantimin e tërësisë së gjerë tingëllore të saj, duke u fokusuar kështu në një timbër vokal natyral, i cili rrezaton automatikisht mbështetje të vetëdijshme trupore. Ajo i ka të gjitha mundësitë për një paraqitje të mirë artistike para dhe sidomos mbrapa skenës së ESC 2020 në Roterdam, ndryshe nga çfarë na u përpëlitën sytë turpërueshëm majin e kaluar nga paraardhësja e saj.