Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, pjesë e grupit të Ilir Metës të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar në GJKKO. Por edhe pse kerkoi dënimin e të treve me 18 vite burg, spak ne final kerkoi pezullimin e denimit me burg dhe vendosjen e te pandehurve në shërbim prove.
Dënimin me 4 vite burg kërkoi SPAK për ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, dënim që reduktohet në 3 vite si shkak i gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, prokurori Sotir Kllapi i kërkoi gjykatës që ky dënim të pezullohet dhe të konvertohet në shërbim prove për një periudhë 4 vjeçare, pasi duhet marrë parasysh mosha e të pandehurit.
Pë këtë të fundit, prokuroria e posaçme dyshon se ai ka shfrytëzuar detyrën e tij si Kryetar i AKEP-it për të favorizuar kompani private celulare dhe të fibrave optike, si kompania e biznesmenit Adrian Shatku, njëherësh kushëri i Monika Kryemadhit.
Sipas SPAK, ai ka ndikuar te drejtuesit e kompanive celulare për lidhjen e kontratave të interkoneksionit nën direktivat e Metës dhe Kryemadhit, duke lejuar aktivitetin e tyre në shkelje të ligjit në këmbim të përfitimeve të paligjshme. Për lidhjen e kontratës me UNIFI, Pirro Xhixho është angazhuar personalisht, madje ka zhvilluar takime edhe me Adrian Shatkun, duke iu bindur kërkesave të ish çiftit.
Ndërkaq, Fatime Kryemadhi sipas prokurorisë, ka pastruar rreth 645 mijë euro në kuadër të një skeme të mirëfilltë korruptive që përfshinë vajzën dhe ish dhëndrin e saj, që mbahet në paraburgim që prej muajit tetor të vitit 2024.
Për Kryemadhin, SPAK i kërkoi gjykatës që krahas dënimit, ti konfiskohet vila që nuk justifikohet nga para të ligjshme, për të cilën Apeli i Posaçëm në dhjetor të vitit 2024 e liroi nga sekuestro.
Ndërsa Ema Çoku dyshohet se ka ndihmuar familjen Meta-Kryemadhi në fshehjen dhe mbulimin e shumave të parave , rreth 220 mijë euro duke shërbyer edhe si donatore formale për ish Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në seancë e radhës gjyqësore, të pandehurit do të paraqësin mbrojtjen, më pas do të jetë trupa gjykuese ajo e cila do vendosë për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së SPAK.



