TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pritur pasditen e kësaj të shtune në ambientet e Kryeministrisë reperin dhe producentin me famë botërore Kanye West, në prag të koncertit të tij në Tiranë.
Takimi është zhvilluar pak orë para performancës së artistit në kryeqytet, ndërsa pamjet nga pritja i ka shpërndarë Rama në rrjetet sociale.
Performanca e Kanye Wses do të zhvillohet vetëm për një natë në “Eagle Stadium”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet përgjatë aksit Tiranë–Durrës.
Kanye West konsiderohet një prej artistëve më me ndikim në historinë e muzikës hip-hop. Gjatë karrierës së tij ai ka publikuar albume që kanë shënuar epokë, si “The College Dropout”, “Graduation”, “808s & Heartbreak” dhe “Donda”, ndërsa është vlerësuar me 24 çmime Grammy.
Përveç suksesit në muzikë, West ka ndërtuar edhe një karrierë të suksesshme në industrinë e modës me markën Yeezy, ndërsa revista Time e ka renditur dy herë mes njerëzve më me ndikim në botë.
Koncerti në Tiranë do të shënojë performancën e parë të Kanye West në Ballkan, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në qendër të vëmendjes për fansat e artistit nga rajoni dhe më gjerë. Pritet që eventi të sjellë mijëra vizitorë në Shqipëri, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të posaçme për organizimin dhe menaxhimin e trafikut në zonën ku do të zhvillohet koncerti./abcnews.al
Lajmi në përditësim…



