Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 36-vjeçari në zonën e Kolonjës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte banues në Pogradec dhe punonte në një subjekt privat të licencuar për përpunimin e drurit. Mësohet se gjatë ditës së sotme ai kishte shkuar në zonën e fshatit Kurtesh, në Kolonjë, për të ngarkuar trupa druri.
Gjatë procesit të ngarkimit, një prej trupave të drurit është shkëputur, duke e zënë poshtë 36-vjeçarin. Për pasojë, ai ka humbur jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.



