Nëse keni ndier ndonjëherë qetësi pas një shëtitjeje në park ose në pyll, kjo nuk është vetëm një përshtypje. Shkenca tregon se kontakti me natyrën shkakton ndryshime në aktivitetin e trurit që lidhen me qetësimin, shkruan BBC.
Qëndrimi në ambiente të gjelbra mund të ndihmojë në uljen e hormoneve të stresit, në përmirësimin e presionit të gjakut, në qetësimin e ritmit të zemrës dhe madje mund të ndikojë pozitivisht edhe në shëndetin e zorrëve.
Nuk është e nevojshme të kaloni orë të tëra në mal apo në pyll për të përfituar këto efekte.
Sipas studimeve, ndikimi më i madh mund të arrihet pas rreth 20 minutash në natyrë.
Edhe një shëtitje gjatë pushimit të drekës në park, disa herë në javë, mund të sjellë përfitime për trupin dhe mendjen.
1. Trupi relaksohet pa e kuptuar
Pamja e pemëve, aroma e pyllit, zhurma e gjetheve ose kënga e zogjve ndikojnë menjëherë në sistemin nervor autonom, rrjetin e nervave që kontrollon funksionet e pavullnetshme të trupit, si rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen.
Kjo mund të ndodhë edhe gjatë një vizite të thjeshtë në një park pranë shtëpisë.
Sipas Kathy Willis, profesoreshë e biodiversitetit në Universitetin e Oksfordit, qëndrimi në natyrë shkakton ndryshime të tilla si: ulje të presionit të gjakut; ngadalësim të rrahjeve të zemrës dhe përmirësim të ritmit të punës së zemrës.
Të gjitha këto lidhen me një gjendje më të madhe qetësie fizike.
Një studim në Britaninë e Madhe, ku morën pjesë rreth 20 mijë persona, zbuloi se njerëzit që kalonin të paktën 120 minuta në javë, në ambiente të gjelbra kishin më shumë gjasa të raportonin shëndet më të mirë dhe mirëqenie më të lartë psikologjike.
Për shkak të këtyre rezultateve, disa vende kanë nisur programe – ku njerëzit orientohen drejt aktiviteteve në ambiente natyrore për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor.
2. Natyra ndihmon në balancimin e hormoneve
Edhe sistemi hormonal i trupit ndikohet nga qëndrimi në natyrë.
Sipas studiuesve, kalimi i kohës jashtë ndihmon në uljen e niveleve të kortizolit dhe adrenalinës, dy hormone që rriten kur trupi është nën stres ose ankth.
Një studim tregoi se njerëzit që qëndruan në një dhomë hoteli për tri ditë dhe thithën aromën e vajit të selvisë japoneze (Hinoki) patën: ulje të ndjeshme të adrenalinës dhe rritje të qelizave mbrojtëse të sistemit imunitar.
Këto qeliza, të quajtura qeliza vrasëse natyrore, ndihmojnë trupin të luftojë viruset dhe qelizat e dëmshme.
Edhe dy javë pas ekspozimit ndaj kësaj arome, niveli i tyre mbeti më i lartë.
Sipas profesoreshës Ming Kuo nga Universiteti i Illinois, natyra “qetëson atë që ka nevojë për qetësim dhe forcon atë që ka nevojë për forcim”.
3. Aroma e natyrës ka ndikim të fuqishëm
Nuk janë vetëm pamjet dhe tingujt e natyrës që ndikojnë tek ne. Edhe aromat e pemëve dhe tokës kanë rol të rëndësishëm.
Bimët lëshojnë përbërje natyrore kimike që kalojnë në ajër dhe disa prej tyre mund të hyjnë në organizëm përmes frymëmarrjes.
Për shembull, aroma e pyllit me pisha mund të ndihmojë në qetësimin e trupit brenda vetëm 90 sekondash, dhe efekti mund të zgjasë rreth 10 minuta.
Efekti qetësues i aromave nuk lidhet vetëm me kujtesën ose përvojat personale.
Një studim tregoi se edhe foshnjat shumë të vogla, të cilat nuk kanë krijuar ende lidhje emocionale me aroma të caktuara, qetësoheshin kur në ambient shpërndahej një aromë e njohur për efektet e saj relaksuese, si limoneni.
4. Natyra ndihmon edhe shëndetin e zorrëve
Përveç ndikimit në mendje, natyra mund të ndikojë edhe në mikrobiomën e zorrëve – bashkësinë e miliona mikroorganizmave të dobishëm që jetojnë në trupin tonë.
Toka dhe bimët përmbajnë baktere të dobishme, të ngjashme me ato që gjenden në disa produkte probiotike.
Studiuesit thonë se ekspozimi ndaj disa prej këtyre mikroorganizmave mund të ndihmojë sistemin imunitar; ndikojë pozitivisht në humor dhe forcojë mbrojtjen e organizmit.
Bimët gjithashtu çlirojnë substanca natyrore të quajtura fitoncide, të cilat mund të kenë veti mbrojtëse ndaj disa mikroorganizmave të dëmshëm.
Sipas shkencëtarëve të sëmundjeve infektive, kontakti me tokën dhe natyrën vepron si një “stimul” për sistemin imunitar, duke e ndihmuar atë të reagojë më mirë.
Si ta sillni natyrën në shtëpi?
Jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë shpesh në pyje, por edhe elementë të vegjël të natyrës në ambientin e përditshëm mund të sjellin përfitime.
Ekspertët sugjerojnë: vendosjen e luleve në shtëpi, veçanërisht luleve me ngjyra të bardha ose të verdha, të cilat janë lidhur me efekte qetësuese; përdorimin e aromave natyrore, si vajrat esencialë me përbërje të ngjashme me ato të pemëve dhe shikimin e pamjeve të natyrës.
Edhe një fotografi e një pylli ose një pamje e gjelbër nga dritarja mund të shkaktojë ndryshime qetësuese, në aktivitetin e trurit dhe të ulë nivelin e stresit.
Sipas studiuesve, çdo kontakt me natyrën – edhe i vogël – mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor



