E KRYER: Shkëndija bën “bingo”, bind lojtarin e kombëtares

schedule13:11 - 4 Janar, 2020

schedule 13:11 - 4 Janar, 2020

Shkëndija ka gati një zyrtarizim dhe bëhet fjalë për një lojtar që ka luajtur edhe me kombëtaren e Shqipërisë. Valon Ahmedi, sikurse bëjnë me dije burime të ABC News pranë futbollistit, e ka pranuar marrëveshjen me kuqezinjtë dhe për herë të parë do të luajë në Maqedoninë e Veriut.

Ahmedi, pas një eksperiencë në Izrael me Irony Kiryat Shmona, zgjodhi të luante në Kroaci me Inter Zapresic. Vetëm dy muaj në atë klub dhe “divorci” u njoftua që në muajin dhjetor. Së fundmi ai ka pasur disa oferta, por ajo e Shkëndijës ka qenë më bindësja.

Kështu për trajnerin Ernest Gjoka do të jetë në dispozicion një lojtar me mjaft vlera, që mund të luajë në krahë të sulmit dhe si sulmues i dytë. Ahmedi hapat e parë në karrierë i ka hedhur në Itali, ku ka qenë pjesë e Sudtirol dhe më pas kaloi në Slloveni te Celje.

 

Aty bëri një sezon të parë shumë të mirë, duke shënuar 5 gola dhe më pas pati një dëmtim që e penalizoi. Gjithsesi Maribor ishte bindur për cilësitë e tij dhe i ofroi një kontratë. Aty Ahmedi u shpall kampion dhe pati mundësinë të luante edhe në grupet e Champions League.

Tani bëhet gati për një eksperiencë të re në Maqedoninë e Veriut dhe objektici është fitimi i titullit kampion. Ky mision nuk do të jetë i lehtë, duke parë shkëputjen me tetë pikë të Vardarit dhe mungesën e rivalëve të tjerë. /abcnews.al