Irani e konsideron kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit si përfitimin e tij më të madh strategjik nga konflikti i fundit dhe duket i vendosur ta mbajë atë, edhe nëse kjo rrezikon të çojë në dështimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas ekspertëve, Teherani beson se administrata Trump po përpiqet ta rikthejë qarkullimin detar në ngushticë në nivelet e para luftës, pa njohur ndikimin dhe autoritetin që Irani pretendon se ka fituar në këtë rrugë detare.
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se të gjitha anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të ndjekin itineraret e përcaktuara nga Teherani. Raundi i fundit i përplasjeve shpërtheu pasi SHBA-ja iu kundërpërgjigj sulmeve iraniane ndaj anijeve që nuk respektuan këto udhëzime.
Në qendër të mosmarrëveshjes është pika e pestë e memorandumit të mirëkuptimit (MoU), e cila parashikon që Irani të marrë masa për kalimin e sigurt të anijeve tregtare dhe të bashkëpunojë me Omanin për administrimin e ardhshëm të ngushticës. Megjithatë, dokumenti nuk i jep shprehimisht Iranit autoritet ekskluziv mbi lundrimin në këtë zonë.
“Mesazhi i Teheranit është i qartë: Ngushtica është e hapur, por jo sipas kushteve të SHBA-së”, shkroi në platformën X analistja Negar Mortazavi. Sipas saj, administrata Trump po përpiqet të zgjerojë interpretimin e marrëveshjes, ndërsa Irani po këmbëngul që zbatimi i saj të bazohet vetëm në tekstin e negociuar.
Sipas Crisis Group, paqartësitë e memorandumit ndihmuan fillimisht në ndalimin e luftimeve, por më pas u kthyen në burim tensionesh, pasi secila palë nisi ta interpretojë marrëveshjen në favor të interesave të veta.
Think tank-u vlerëson se, për të shmangur dështimin e armëpushimit, Irani duhet të ndalojë sulmet ndaj anijeve, ndërsa SHBA-ja të pezullojë përpjekjet për të promovuar rrugë alternative detare, të paktën deri në vazhdimin e negociatave.
Ndërmjetësit po punojnë për rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve. Deri tani nuk ka shenja për një kompromis, megjithatë situata në terren duket e qetë dhe armët kanë heshtur, të paktën për momentin.



