Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin ndërkombëtar të koduar “Fury”, në kuadër të të cilit janë arrestuar në Durrës dy shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe partnerët ndërkombëtarë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Shkup.
Në pranga ranë shtetasit Musa Xhevit 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe Senafi Nuredini 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
Sipas policisë, ndaj tyre INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për veprat penale “vrasje”, “plagosje”, “armëmbajtje pa leje” dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë kontrollit, efektivët e policisë u gjetën të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë.
Në vijim të operacionit, policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasin nga Maqedonia e Veriut, Xhengis Rushiti 26 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se u ka siguruar dy të kërkuarve dokumentet e falsifikuara.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e policisë sekuestruan edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët amerikanë të DSS dhe autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut si një element kyç në finalizimin e operacionit “Fury”.



