Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump, duke ritheksuar se territori autonom nuk është në shitje dhe se e ardhmja e tij do të vendoset vetëm nga populli i Groenlandës.
Përmes një postimi në Facebook, Nielsen deklaroi se thirrjet e përsëritura për marrjen nën kontroll të Groenlandës nuk do të ndryshojnë qëndrimin e autoriteteve vendase.
“E ardhmja e Groenlandës vendoset nga ne në Groenlandë dhe jo nga të tjerët. Thirrjet e përsëritura për marrjen ose kontrollin e vendit tonë nuk e ndryshojnë këtë”, shkroi ai.
Reagimi i kryeministrit vjen pasi Donald Trump deklaroi në samitin e NATO-s se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë kontroll mbi Groenlandën, duke argumentuar se ishulli, i cili është territor autonom i Danimarkës, ka një rëndësi të madhe strategjike për sigurinë amerikane.
Deklaratat e Trumpit kanë shkaktuar reagime edhe nga Danimarka. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi se pozicioni i vendit të saj mbetet i pandryshuar.”Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje është, për fat të keq, shumë i qartë, por edhe pozicioni ynë ka qenë po aq i qartë gjatë gjithë kohës. Groenlanda, natyrisht, nuk është në shitje”, deklaroi Frederiksen.
Kjo nuk është hera e parë që Trump shpreh interes për Groenlandën. Ai ka argumentuar vazhdimisht se territori ka rëndësi strategjike për interesat e sigurisë së SHBA-së, ndërsa autoritetet e Groenlandës dhe Danimarkës kanë refuzuar vazhdimisht çdo ide për shitjen apo transferimin e kontrollit të ishullit.



