Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mjeku gjerman dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e 15 pacientëve

schedule18:01 - 8 Korrik, 2026

schedule 18:01 - 8 Korrik, 2026

Një mjek gjerman i kujdesit paliativ është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për vrasjen e 15 pacientëve të tij.

Një gjykatë në Berlin e shpalli fajtor 41-vjeçarin, i identifikuar vetëm si Johannes M., në përputhje me ligjet gjermane për mbrojtjen e privatësisë, për vrasjen e 12 grave dhe 3 burrave gjatë periudhës nga shtatori 2021 deri në korrik 2024.

Megjithatë, autoritetet besojnë se këto vrasje mund të jenë vetëm një pjesë e një numri shumë më të madh krimesh. Prokuroria po heton aktualisht dhjetëra raste të tjera që lidhen me të.



Viktimat ishin nga 25 deri në 94 vjeç. Gjatë gjykimit u tha se të gjithë vuanin nga sëmundje të rënda, por nuk ndodheshin në rrezik të menjëhershëm për jetën.

Sipas prokurorisë, gjatë vizitave në banesat e pacientëve, mjeku u administronte atyre një kombinim vdekjeprurës medikamentesh pa pëlqimin e tyre.

Në disa raste, ai dyshohet se i vinte zjarrin banesave për të zhdukur gjurmët e krimit.

Në korrik të vitit 2024, pak para arrestimit të tij, prokurorët thanë se mjeku vrau dy pacientë brenda të njëjtës ditë: fillimisht një burrë 75-vjeçar në banesën e tij në qendër të Berlinit dhe, vetëm pak orë më vonë, një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje.

Sipas hetimeve, ai tentoi t’i vinte flakën edhe shtëpisë së gruas, por nuk ia doli.

Për pjesën më të madhe të procesit gjyqësor, që zgjati rreth një vit, mjeku nuk bëri asnjë deklaratë. Vetëm muajin e kaluar ai pranoi se kishte “vrarë njerëz”, duke rrëfyer vrasjen e 12 pacientëve të tij me sëmundje të rënda.

Ai i tha gjykatës se kishte bindur veten se po bënte gjënë e duhur, duke u kursyer pacientëve “vuajtjet dhe pafuqinë”.

“Gjatë gjithë kësaj kohe besoja se kjo ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë”, deklaroi ai.

Mjeku kërkoi gjithashtu falje për vuajtjet që kishte shkaktuar.

Autoritetet dyshojnë se ai mund të ketë vrarë edhe pacientë të tjerë. Prokuroria po heton aktualisht edhe 76 raste të tjera.

Sipas mediave gjermane, nëse këto dyshime vërtetohen dhe ai shpallet fajtor edhe për to, rasti mund të konsiderohet një nga seritë më të mëdha të vrasjeve në historinë e Gjermanisë.

Mjeku deklaroi para gjykatës se do të bashkëpunojë më herët dhe më aktivisht në procedurat e ardhshme gjyqësore.

Gjatë procesit, familjarët e viktimave thanë se ende nuk mund ta besonin atë që kishte ndodhur.

Nëna e viktimës më të re, një gruaje 25-vjeçare që humbi jetën në vitin 2021, shpërtheu në lot, duke thënë: “Ajo kurrë nuk kishte thënë se nuk donte të jetonte më.”

Ndërsa djali i një gruaje 72-vjeçare, e cila vdiq në vitin 2024, tregoi se nëna e tij kishte planifikuar të shkonte me motrën e saj në Detin Baltik.

“Nëna ime donte të vazhdonte të jetonte”, u shpreh ai.

Gjykata vlerësoi se faji i mjekut ishte veçanërisht i rëndë. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ajo urdhëroi që ai të mbahet në paraburgim parandalues edhe pas përfundimit të dënimit, si dhe i ndaloi përgjithmonë ushtrimin e profesionit të mjekut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!