Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale, duke vlerësuar projektin “Sport-Verë 2026”, që po zhvillohet në Kamëz dhe u ofron fëmijëve mundësinë të kalojnë pushimet verore me aktivitete sportive dhe argëtuese.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se mbi 250 nxënës po kalojnë verën mes sportit, argëtimit dhe një stili aktiv jetese në ambientet moderne sportive “Shaban Uka”.
“Mirëmëngjes dhe me energjinë e bukur të mbi 250 nxënësve në Kamëz, që po i kalojnë pushimet verore mes sportit, argëtimit dhe jetës aktive, falë projektit ‘Sport-Verë 2026’ në ambientet moderne sportive ‘Shaban Uka’, ju uroj një ditë të mbarë,” shkruan kryeministri Rama në Facebook.
Projekti “Sport-Verë 2026” synon të angazhojë fëmijët dhe të rinjtë gjatë pushimeve verore përmes aktiviteteve sportive dhe rekreative, duke promovuar jetesën e shëndetshme dhe pjesëmarrjen aktive në komunitet.



