Historia ka treguar se kur do të bësh “Zotat”, hakmarrja e tyre është e pamëshirshme. E kishin provuar të parët Faraonët e vertetë, tani mijëra vjet më pas edhe “Faraonët” e futbollit që vinin nga e njëjta tokë, Egjipti.
Mohamed Salah dhe skuadra e tij u afruan shumë me triumfin, por kur menduan se kishin prekur qiellin, “Zotat” në këtë rast ata të futbollit, Lionel Messi dhe Argjentina I kthyen me këmbë në tokë.
Kampionët e Botës në fuqi realizuan një përmbysje të madhe në një prej sfidave më të bukura të Botërorit, pasi e panë veten në dizavantazhin e dy golave dhe në 13 minuta e kthyen atë në avantazhin 3-2, për të siguruar biletën për në çerekfinalet e turneut.
Më pak se 24 orë nga eliminimi i Cristiano Ronaldo, tifozët në mbarë botën po shihnin të njëjtin fund edhe për një tjetër yll të futbollit si Lionel Messi.
Shenjat për këtë ishin të gjitha, duke nisur nga epërsia surprizë e Egjiptit, që hapi sfidën me Ibrahim Jaser në minutën e 15-të.
Vetëm gjashtë minuta më pas, Argjentina kishte mundësinë e artë për të barazuar, por Mesi gaboi nga pika e penalltisë. Ky ishte 11-metërshi i dytë I shpërdoruar nga “Pleshti” në këtë Botëror, duke konfirmuar se golat e lehtë nuk janë pika e tij më e fortë.
Pavarësisht këtij momenti, argjentinasit provuan të barazonin deri në fundin e pjesës së parë. Saktësia e munguar e MakAllister dhe Julian Alvarez, por edhe fati i keq që ndiqte Mesin, I ndalur edhe nga shtylla nuk e ndryshoi epërsinë minimale të Egjiptit.
Por pas pushimit, dita në Atlanta u duk se u bë më e zymtë për Argjentinën.
Në minutën e 58-të, Ziko ndali topin në rrjetë për dyfishimin e afrikano-veriorëve, por sistemi VAR e bëri të pavlrefshëm për një ndërhyrje të gabuar në nisje të aksionit.
Por festa e Egjiptit u kthye sërish, madje më e fortë në të 67-të, kur po Ziko shënoi golin e dytë për skuadrën e tij.
Kjo u duk si goditja e “KO” për Messi dhe shokët e tij. Por si kampionët e boksit, edhe kampionët e futbollit dinë të ngrihen kur duket se kanë rënë në tapet.
Përmbysja që dukej e pamundur, nisi të ndërtohej në minutën e 79-të, me Romero që kthey në lojë Argjentinën.
Fati u kthye me Mesin në minutën e 84-rt. “Pleshti” goditi saktë dhe fortë brenda zonës për të barazuar shifrat e rezultatit dhe për të kthyer sërish entuziazmin e tifozëve në tribuna. Ky ishte realizimi i tetë për Mesin në këtë turne, që merr sërish i vetëm kreun e garës për “Këpucën e Artë”
Por në minutën e dytë shtesë do të vinte goli i shpëtimit dhe triumfit.
Enzo Fernandez goditi saktë me kokë duke vulosur fitoren e Argjentinës, që brenda një ndeshje jetoi ferrin dhe parajsën. Të njëjtën gjë, por në drejtime të ndryshme jetoi Egjipti, që largohet me shumë pengje nga Botërori.
Në fund festa ishte për kampionët e Botës në fuqi, që treguan edhe një herë se nuk kanë ndërmend të dorëzojnë trofeun.



