Ish-nënkryetari i PD, Edmond Spaho, e ka cilësuar projektin e Kakomesë si investimin më të gabuar turistik, duke kritikuar ndërtimin e vilave private që sipas tij nuk i shërbejnë ekonomisë.
Gjatë një interviste në “Real Story”, ai deklaroi se protestat e fundit ndaj investimeve strategjike janë të sajuara dhe të programuara nga aktorë të jashtëm me prapaskenë politike.
Sipas Spahos, origjina e këtyre reagimeve vjen nga Europa dhe Kosova, duke shfrytëzuar ambientalistët për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë në një moment kyç të negociatave me BE-në. Ai theksoi se sulmet po bëhen me argumente qesharake ndaj një koncepti fillestar, ndërkohë që transparenca e plotë e projektit do të bëhet në një fazë të dytë.
“Rasti i Kakomesë është zhvilluar në formën më të papranueshme. Të ndërtosh vila private në një zonë me aq shumë potencial është gjëja më e gabuar, nën presionin e ndërtuesve që pretendojnë të fitojnë sa më shumë. Do të ishte ndryshe nëse do të ishte një fshat turistik. Në pjesën më të madhe të kohës ato vila janë të pashfrytëzuara dhe nuk i japin asnjë gjë ekonomisë. Këto protesta janë të sajuara, nuk janë rezultat i një fryme të brendshme.
Nisja e menjëhershme, si me sustë, për një investim aq të madh, dukej se në prapaskenë kishte aktorë të interesuar, për dy arsye të mëdha: një, për të anuluar investimin; së dyti, është zgjedhur një moment ku Shqipëria është në periudhën më të avantazhuar për të mbyllur negociatat për integrimin në BE. Në Europë është origjina e protestës në Tiranë, duke shfrytëzuar ambientalistët, nga Kosova. Duke shfrytëzuar këto komente filluan një protestë që të prishë një investim me argumentet nga më qesharakët, ndërkohë që ende nuk ka një projekt, por një koncept investimi. Transparenca do të bëhet më vonë”, tha Spaho.



