Bakllavaja është bërë sërish shkak për një debat mes Greqisë dhe Turqisë, pasi të dyja vendet pretendojnë se ëmbëlsira tradicionale u përket trashëgimive të tyre kulturore.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Hersfelder Zeitung, Turqia i është drejtuar zyrtarisht UNESCO-s me një kërkesë për ta regjistruar bakllavanë si pjesë të trashëgimisë së saj kulturore jomateriale. Vendimi pritet të merret gjatë këtij viti, në mbledhjen e 21-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, që do të mbahet në Xiamen.
Kërkesa e Ankarasë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Athinës. Autoritetet greke kanë paraqitur argumentet e tyre pranë UNESCO-s, duke theksuar se bakllavaja ka rrënjë në traditën kulinare bizantine dhe greke. Ndërkohë, Turqia mbështetet në dokumente historike që e lidhin zhvillimin e kësaj ëmbëlsire me kuzhinën e Perandorisë Osmane në Kostandinopojë.
Një njohje nga UNESCO konsiderohet me rëndësi të veçantë, pasi përveç vlerës kulturore, ajo ndikon edhe në promovimin ndërkombëtar, zhvillimin e turizmit dhe forcimin e identitetit kombëtar.
Megjithatë, debati nuk zhvillohet vetëm mes Greqisë dhe Turqisë. Edhe Siria pretendon se bakllavaja është pjesë e traditës së saj shekullore, duke përmendur qytetet e Alepos dhe Damaskut, si edhe përdorimin e fistikëve të famshëm të Alepos në recetat tradicionale.
Ndërkohë, studiuesit e historisë së gastronomisë vlerësojnë se bakllavaja është produkt i një evolucioni të gjatë kulturor, i ndikuar nga traditat bizantine, arabe dhe orientale. Sipas tyre, receta është zhvilluar ndër shekuj në territore që dikur ndanin të njëjtën hapësirë kulturore, çka e bën pothuajse të pamundur përcaktimin e një origjine të vetme.



