Në një intervistë për “Balkan Update”, njohësi i zhvillimeve politike në Turqi, Bora Zukali, ka analizuar peshën specifike të Ankarasë zyrtare gjatë Samitit të NATO-s që po zhvillon punimet në Turqi.
Sipas tij, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ndodhet në një pozicion kyç dhe dominues në të gjithë rajonin, duke marrë iniciativa të rëndësishme siç ishte rasti me ndërmjetësimin në luftën e Ukrainës.
Zukali theksoi se ky samit pritet të dalë me deklarata të fuqishme në favor të paqes globale, ku Turqia vjen me pozita dukshëm më të forta, madje edhe në raport me Greqinë. Në fund të analizës së tij, eksperti nënvizoi se Turqia do të ofrojë një mbështetje shumë të madhe për Shqipërinë, të cilën ai e cilësoi si një lidere të rëndësishme në rajonin e Ballkanit.
“Presidenti i Turqisë është në një pozicion kyç, pasi dominon në të gjithë rajonin mori shumë iniciativë, edhe për luftën në Ukrainë, Europa ishte pak më larg. Shpresojmë që Samiti i NATO-s të dalë me disa deklarata të fuqishme, për paqen. Turqia ka peshën e saj.
Turqia ka pozita më të fuqishme përballë Greqisë. Edhe në vitin 2014 e bëri në nivele shumë të larta edhe në Stamboll. Erdogan ka një peshë të madhe dhe një dominancë. Turqia do të japë një mbështetje shumë të madhe edhe për Shqipërinë. Shqipëria është liderë në Ballkan”, tha Zukali.



