Kosova, reformat dhe çështje të bashkëpunimit politik për nxjerrjen e vendit nga kriza dy vjeçare janë jashtë interesit momental të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Ai ndodhet në Greqi për të ndjekur nga afër edicionin e 28 të simpoziumit Symi me temë “zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit”.
Për njohësit e zhvillimeve politike në vend, ky akt është një tregues i papërgjegjshmërisë politike të Kurtit, ndërsa do të duhej të qëndronte në Prishtinë dhe të niste bisedimet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Kurti duhej të ishte në Kosovë ku do të duhej të ndërtonte ura bashkëpunimi, në vend që të shkonte në Greqi”, tha Alma Lama, ish-ambasadore.
Njëjtë mendon edhe ish diplomati Blerim Canaj, sipas të cilit i gjithë fokusi dhe energjia e të zgjedhurit të parë nga votimet e qershorit duhet të ishte ngritja e institucioneve.
“Do të duhej të qëndronte në Kosovë për të diskutuar ngritjen e institucioneve të reja”, tha Blerim Canaj, ish-diplomat.
Vendi po pret certifikimin zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa ka kohë 30 ditë pas saj për të mbajtur seancën e parë konstituive.
Sipas njohëseve të ligjeve në fuqi, detyra e parë duhet të jetë zgjedhja e presidentit, por Kurti ka deklaruar se fillimisht do të jetë puna për formimin e qeverisë së re. Për ta ky është një sinjal se në Kosovë do të ketë zgjedhje të reja.



