Mbyllen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Kërkesat për financim kanë kaluar 7 miliardë lekë, duke reflektuar interesin e lartë të fermerëve për subvencionet e këtij viti.
Masa më e kërkuar rezulton ajo për mbështetjen e mbjelljeve të kulturave bujqësore për sipërfaqe mbi 3 hektarë, ku fondi i kërkuar arrin në rreth 2 miliardë lekë.
Pas saj renditen masat për blegtorinë, me kërkesa që arrijnë një vlerë prej 1.9 miliardë lekësh, bagëtitë e imta, 1.4 miliardë lekësh për lopët dhe 1.1 miliardë lekësh për bletarinë.
Interes të lartë ka pasur edhe për masën që mbështet kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera, një praktikë që nxit përdorimin e metodave moderne dhe më miqësore me mjedisin në prodhimin bujqësor.
Për herë të parë, skema ka përfshirë një masë të posaçme për fermerët e rinj. Sipas të dhënave paraprake, kanë aplikuar rreth 290 të rinj, ndërsa janë regjistruar edhe 26 aplikime për ndërtimin e staneve për bagëtitë e imta.. Po ashtu janë dorëzuar edhe 26 aplikime për ndërtimin e staneve për bagëtite e imta.
Në ditët në vijim pritet të nisë verifikimi administrativ i aplikimeve dhe më pas shpallja e përfituesve. Autoritetet bëjnë të ditur se synimi është që të gjithë aplikantët që plotësojnë kriteret të përfitojnë nga skema, ndërsa gjatë vitit do të sigurohen fondet për të mbuluar plotësisht vlerën e mbështetjes për secilin prej tyre./abcnews.al



