Mbyllen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në bujqësi.
Drejtori i Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Irfan Tarelli thotë se ka pasur një interes të shtuar nga ana e fermerëve.
Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, Tarelli u shpreh se fondi total i akorduar është 7 miliardë lekë.
Tarelli shtoi se ka pasur aplikime edhe nga të rinjtë.
“Patëm proces të suksesshëm. Kemi maksimumin e aplikimeve. Nga viti i kaluar, sivjet është futur edhe masa e kulturave të ndryshme bujqësore, kjo kategori fermerësh ka aplikuar. Kemi reagim nga fermerët. Mund të flasim për fondin e aplikuar, 7 miliardë lekë të reja, një shifër mjaft pozitive. Aplikimet kanë ndodhur në të gjitha masat e skemës, kemi reagim mjaft pozitiv nga komuniteti i fermerëve. Ka mbi 500 aplikime me fond 460 milionë lekë të reja, ajo që mund të themi, është që procesi ka qenë i suksesshëm, pritshmëria është përmbushur tërësisht. Çdo fermer aplikant që përmbush kriteret, është automatikisht fitues. Me të dhënat e ditës së djeshme, kanë aplikuar 290 të rinj, nuk mund të konsiderohet shifër përfundimtare, edhe mund të rritet. Është reagim mjaft pozitiv nga ana e të rinjve. Të rinjtë të bëhen faktor në zhvillimin e bujqësisë”, theksoi ai./abcnews.al



