Mbi 1 mijë punonjës do të jenë në gatishmëri për të shmangur defektet dhe ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike gjatë sezonit të verës.
Llambi Miti drejtor i operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tha se ekipet do të jenë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast avarish, me bazë materiale të shpërndarë në të gjithë territorin. këto masa synojnë të garantojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët, bizneset dhe mijëra turistë që vizitojnë bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror.
Paralelisht me organizimin në terren, OSSH ka realizuar një sërë investimesh në rrjetin e shpërndarjes e detyruar edhe nga rritja e konsumit të energjisë e cila në qershor ka rezultuar mbi 13% më tepër se një vit më parë.
Operatori i sistemit të Shpërndarjes ka ndërhyrë në 136 nënstacione dhe 126 kabina elektrike, ndërsa janë rikonstruktuar linja të tensionit të lartë, të mesëm dhe të ulët, me qëllim rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve të furnizimit.
Investime janë realizuar edhe në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët në të gjitha rajonet.
/abcnews.al/



