U kthye në një bumerang. Presidenti amerikan, Donald Tramp, padyshim deshi të fitonte pikë politike me ndërhyrjen e tij të paprecedentë dhe të hapur në FIFA duke ndihmuar që të pezullohej kartoni I kuq për sulmuesin Balogun, por Belgjika e shkatërroi krejt planin.
Skuadra europiane, një nga kombëtaret fisnike të kupave të botës, tregoi gjithë përvojën e saj, por edhe krenarinë për atë që e cilësoi një padrejtësi, duke mos u lënë Shteteve të Bashkuara asnjë mundësi.
Amerikanët duket paguan presionin e madh të krijuar për rastin “Balogun”, por edhe mungesën e përvojës në nivele të tilla. Nuk dihet nëse do të kenë ndonjëherë tjetër një rast të tillë kaq të mirë për të shkuar në çerekfinale apo gjysmëfinale të Botërorit, por shpresa vdes e fundit.
Belgjika goditi shpejt, ndërsa duket se fitorja me përmbysje ndaj Senegalit i ka dhënë më shumë besim në forcat e veta. De Ketelere shënoi që në 9’, edhe pse vendasit barazuan që në pjesën e parë me anë të Tilmanit.
Pa kaluar dy minuta, në të 33-ën, De Ketelere rivendosi epërsinë e “djajve të kuq”. Ylli i Atalantës dhe ish-i Milanit padyshim bëri një paraqitje të shkëlqyer. Pas pushimit, Vanaken përfitoi nga gabimi I portierit amerikan, Frise, për të shtuar të tretin në 57’, ndërsa Romelu Lukaku goditi në minutën e tretë shtesë për të kompletuar triumfin e madh të Belgjikës.
Ja pra që futbolli është shumë më tepër se një lojë diplomatike në nivelet më të larta./abcnews.al



