Fermerët kosovarë të qumështit kanë mbajtur sot një takim urgjent me anëtarët e shoqatës së tyre, pas situatës së krijuar nga ndërprerja e grumbullimit të qumështit nga qumështorja “Vita”.
Në një njoftim, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit bëri të ditur se kërkesa kryesore e fermerëve është zhvillimi i një takimi të menjëhershëm me përfaqësuesit e qumështores, me qëllim që të rifillojë sa më shpejt grumbullimi i qumështit.
Sipas shoqatës, edhe kërkesa kryesore e qumështores është publikimi sa më i shpejtë i rezultateve të analizave të mostrave të marra, të cilat konsiderohen të domosdoshme për rifillimin e procesit të grumbullimit.
Për këtë arsye, fermerët i kanë bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, që të përshpejtojnë procedurat për nxjerrjen e rezultateve.
“Ne, si Shoqatë e Prodhuesve, kërkojmë urgjentisht përshpejtimin e procedimit të rezultateve, në mënyrë që të vazhdojmë me dorëzimin e qumështit të freskët dhe të evitojmë çdo humbje eventuale të sasisë së prodhuar, duke marrë parasysh edhe temperaturat e larta që po mbizotërojnë. Në të kundërtën, nuk do të mund t’i shmangim protestat eventuale të fermerëve”, thuhet në njoftim.
Fermerët paralajmërojnë se çdo vonesë e mëtejshme mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike, për shkak të pamundësisë për të dorëzuar qumështin e freskët në kushte të temperaturave të larta.
Fermerët e qumështit kërkojnë rifillimin urgjent të grumbullimit nga “Vita”, paralajmërojnë protesta
schedule20:22 - 3 Korrik, 2026
schedule 20:22 - 3 Korrik, 2026

