Tensione dhe përplasje u regjistruan këtë të enjte gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, ku pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimit, disa efektivë policie u goditën me gurë dhe sende të forta, ndërsa protestuesit tentuan në disa raste të çanin gardhin metalik të vendosur përreth institucionit.
Përplasjet nisën që përpara fillimit të seancës plenare.
Sipas të dhënave nga Spitali Universitar i Traumës, gjatë ditës së sotme morën trajtim mjekësor 14 efektivë policie dhe 2 protestues. Nga efektivët e lënduar, 4 vijojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër, së bashku me protestuesit, janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u trajtuan 1 efektiv policie dhe 2 protestues, të cilët, sipas autoriteteve shëndetësore, kanë lënë ambientet e spitalit pas marrjes së kujdesit mjekësor.



