Më shumë se 770 mijë pensionistë do të përfitojnë një bonus vere në vlerën e 5 mijë lekëve, falë një performance ekonomike përtej parashikimeve.
Lajmi është bërë me dije nga Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, i cili theksoi se kjo ndërhyrje ishte e planifikuar kohë më parë si rezultat i të ardhurave të larta të buxhetit.
Sipas tij, qëndrueshmëria dhe rezistenca e tregut ndaj krizave të huaja kanë krijuar optimizëm dhe besim të plotë për ecurinë financiare të vendit. Përveç mbështetjes për pensionistët, ky rishikim buxhetor ka alokuar edhe 1.3 milionë euro shtesë për luftën ndaj zjarreve.
“Të ardhurat dhe ecuria e qëndrueshmërisë ekonomike, ka qenë e tillë, që ne e kishim paralajmëruar më parë, që kemi një performancë përtej parashikimit tonë të të ardhurave. Ne e kemi paralajmëruar që në muajt e vitit që të ardhurat janë të larta dhe ishte e parashikueshme. Ka qenë një ndërhyrje e rishikuar dhe e planifikuar kohë më parë. Kemi 1.3 milionë euro shtesë për luftën ndaj zjarreve.
Parashikimet janë optimiste dhe elementi final i një lloj risku që po ruheshim nga fillimi i luftës në Gjirin Persik, tani besojmë dhe shpresojmë që ka kaluar. Ekonomia jonë ka treguar edhe një rezistencë edhe në rastet e kaluara. Kemi një lloj rezistencë ndaj këtyre krizave.
Mendoj që e kemi kaluar. Diçka që ne e shikojmë në mënyrë konstante janë edhe bonot e normave të interesit qoftë në tregun e brendshëm edhe në atë të huaj. Performanca ka qenë e mirë dhe për këtë arsye kemi qenë besimplotë”, tha zëvendësministri.



