Një nga komeditë më të dashura të teatrit shqiptar rikthehet aty ku la gjurmën e saj. Pas tre dekadash, “8 Persona Plus”, vepra e shkruar nga aktori dhe dramaturgu i njohur Ferdinand Radi, ngjitet sërish në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, këtë herë nën regjinë e vajzës së tij, Andeta Radi.
Premiera do të mbahet më 4 korrik, pikërisht në teatrin ku Ferdinand Radi e solli me shumë pasion këtë komedi vite më parë. Një vepër që ka bërë shqiptarët të qeshin brez pas brezi, por që përtej humorit mbart një ironi të hollë dhe një tematikë që edhe sot mbetet po aq aktuale.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për ABC-në e Mëngjesit, regjisorja Andeta Radi do të rrëfejë emocionet e rikthimit të kësaj komedie ikonike, por edhe dimensionin shumë personal që ka kjo premierë për të.
“Për mua kjo nuk është thjesht një premierë. Është një dialog i heshtur mes meje dhe babait. Është emocion i veçantë të ndjek të njëjtët hapa në të njëjtin teatër ku ai la gjurmën e tij artistike. Shpresoj që diku, në rreshtin e parë të kujtimeve të mia, ai të jetë duke buzëqeshur.”
Në vitet ’90, “8 Persona Plus” u interpretua nga një kast i jashtëzakonshëm aktorësh si Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Yllka Mujo, Luftar Paja, Pavlina Mani e shumë emra të tjerë që i dhanë jetë një prej komedive më të suksesshme të teatrit shqiptar. Sot, kjo vepër rikthehet me trupën e Teatrit të Korçës, duke ruajtur frymën e saj, por edhe duke sjellë një këndvështrim të ri për publikun.
Intervista do të ndalet edhe te figura e Ferdinand Radit, artistit që për dekada u privua nga rolet kryesore për shkak të persekutimit politik të regjimit komunist.
Megjithëse u detyrua të interpretonte kryesisht role dytësore dhe episodike, ai la një kontribut të çmuar në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në rreth 13 filma dhe duke shkruar vepra që vazhdojnë të jetojnë në skenë edhe sot. Andeta Radi do të flasë gjithashtu edhe për marrëdhënien e veçantë me motrën e saj, Rozana Radi, me të cilën bashkëpunon edhe në këtë shfaqje.



