Qyteti i Oulut në Finlandë është vënë në gatishmëri të lartë, ndërsa policia po heton një seri sulmesh me thikë ndaj disa emigrantëve.
Autoritetet dyshojnë se pas disa prej incidenteve mund të fshihet i njëjti autor dhe kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e tij.
Sulmi më i fundit ndodhi të premten, kur një burrë që lëvizte me biçikletë dyshohet se iu afrua viktimës dhe e goditi me thikë nga pas, përpara se të largohej nga vendngjarja. Policia ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë dhe një përshkrim të të dyshuarit, i cili besohet të jetë 20–35 vjeç. Në momentin e sulmit ai mbante veshur një kapelë dhe një këmishë me jakë.
Sipas autoriteteve, ka elemente të përbashkëta mes rasteve të hetuara, megjithatë ende nuk është konfirmuar se të gjitha sulmet janë kryer nga i njëjti person. Kryehetuesi i çështjes deklaroi se lidhja mes incidenteve do të mund të vërtetohet vetëm pasi autori të identifikohet.
Hetimet përfshijnë disa sulme të regjistruara nga maji i vitit 2025 deri në qershor 2026. Rasti i parë u raportua më 26 maj 2025 në zonën e Kaukovainio, ku një burrë i huaj u sulmua me thikë nga një person që u largua me biçikletë.
Në prill 2026, një tjetër sulm u regjistrua në zonën e Raksilës, ku një burrë me prejardhje të huaj u plagos nga një person që lëvizte me biçikletë. Një i dyshuar u arrestua në lidhje me këtë rast, por më vonë u lirua, pasi gjykata vlerësoi se provat nuk ishin të mjaftueshme.
Dy incidente të tjera u shënuan gjatë muajve maj dhe qershor, përfshirë sulmin ndaj një gruaje të huaj. Për rastin më të fundit, autoritetet kanë nisur hetime për veprën penale të vrasjes në tentativë.
Policia finlandeze u bën thirrje të gjithë personave që disponojnë informacione ose njohin të dyshuarin nga pamjet e publikuara të kontaktojnë Policinë e Oulut, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjeve vijojnë.



