Kreu demokrat Lulzim Basha ftoi banorët e Laprakës në protestën e 27 janarit. Ai tha se kjo protestë do të jete bashkimi i gjithë shqiptarëve për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Varfëria i detyron shqiptarët të shesin edhe gjak për të blerë bukën e fëmijëve. Një histori të tillë tregoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në takimin me degën 11 të Laprakës në Tiranë.
“Gjendja e atij kryefamiljari është gjendja e mijëra prindërve shqiptarë, e 290 mijë shqiptarëve. Mjerim absolut. Nuk arrijnë dot të blejnë bukën e gojës për fëmijët e tyre. Po si mund t’i thotë vetes kryeministër, që shikon këtë gjendje dhe e zgjidh qesen, për çfarë? Për 400 milionë lek makina,”- u shpreh Basha.
Përballë kësaj situate kreu democrat vendos qeverinë që sipas tij u fal inceneratorëve miliona euro, 5.2 milionë vetëm për fabrikën e plehrave në zonën e Fierit, kundër të cilës po protestojnë banorët.
“Njerëzit janë ngritur në këmbë për të protestuar për shëndetin e tyre dhe shumica prej tyre kanë të njëjtin problem, kanë të njëjtin hall. Nuk kanë pension, nuk kanë ndihmë ekonomike, nuk kanë punë, dhe çfarë i pret? I pret dajaku i Edi Ramës. Përse? Nuk duan të kenë fabrikë helmesh aty ku jeton familja e tyre, aty ku rriten vogëlushët e tyre. Shembuj të tillë ka me qindra që tregojnë një gje dhe vetëm një gjë, është krahu politik i krimit të organizuar që sundon sot në Shqipëri,”- tha Basha.
Basha vuri në dukje se rasti i ARMO-s është modeli i korrupsionit flagrant të Edi Ramës, për videokonferencën e të cilit tha se ishte “mbyllje në një bunker larg realitetit dhe pa ndjeshmëri për problemet që u ka shkaktuar shqiptarëve”.
“50 milionë euro taksa ia ka falur, kujt do thoni ju? Jo Besos, jo! Vetes së tij! Se Beso është fasada, siç ka qenë gjithmonë. Ato 50 milionë euro do të mjaftonin për të paguar 3 vjet e gjysëm 1 200 familjarë, që përpara se të jenë naftëtarë, janë baballarë, janë kryefamiljarë që mbajnë me ato para fëmijët e tyre, familjet e tyre,”- u shpreh Basha./abcnews.al