Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar investimin amerikan në rrjetin e gazit u cilësua si një veprim “pa sens dhe përtej çdo logjike ekonomike” nga Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Në një intervistë për “Balkan Update”, Rafuna deklaroi se ky projekt i ofruar nga Shtetet e Bashkuara ishte një mundësi e artë që do t’i garantonte Kosovës siguri energjetike dhe pavarësi të plotë nga gazi rus dhe Serbia.
Sipas tij, refuzimi i këtij investimi nuk ka asnjë arsyetim, pasi çështja e gazit amerikan i kalon kufijtë e ekonomisë dhe lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të vendit.
“Kjo shkon përtej logjikës ekonomikë. Ti thuash jo këtij projekti është pa sens, sidomos gazit amerikan. Është ofruar një mundësi shumë e mirë e Amerikës që Kosova të jetë pjesë e gazit amerikan. Është edhe siguria energjetike dhe pavarësia nga gazi rus.
Nuk ka një arsyeshmëri dhe një logjikë se përse duhet t’i thuash ‘jo’ gazit amerikan. Çështja e gazit amerikan shkon përtej çështjeve ekonomike, është çështje e sigurisë ekonomike dhe pavarësisë së vendit nga Rusia dhe nga Serbia”, tha Rafuna.



